Autoriteti Portual Durrës ka hapur një ditë më parë procedurën e tenderit për blerjen e një vinçi MHC 80 Ton me vlerë 3.8 miliardë lekë të vjetra.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertës nga kompanitë e interesuara vendase apo të huaja është data 4 maj.
Vinçi do t’i dorëzohet i montuar dhe i testuar në kantierin e APD-së brenda 5 muajve nga nënshkrimi i kontratës mes kompanisë fituese dhe Autoritetit Portual.
“Provat për efektivitetin e vinçit do të kryhen në kushte të plota pune dhe normale shërbimi për një kohëzgjajtje ekzekutive prej 24 orë punë pa ndërpreje, gjatë së cilës palët do të verifikojnë mënyrën e reagimit të vincit dhe të të gjitha sistemeve të tij.
Brenda një periudhe një javore pas dorëzimit të mallit Autoriteti Kontraktor ka të drejtë të ekzaminojë inspektojë dhe të testojë mallit me anë të një komisioni të posacme të ngritur për këtë qëllim. Operatori ekonomik fitues do ketë të drejtë të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe të shqyrtojë raportet e aktivitetit që pergatitura nga Autoriteti Kontraktor”,- shkruhet në dokumentet e tenderit.
Porti i Durrësit eshte porti më i madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në hapësirën Adriatiko-Joniane.
Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m. Volumet e mallrave të përpunuara në Portin e Durrësit përfaqësojnë më shumë se 85% të tregtisë detare në nivel kombëtar.
Porti i Durrësit është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetin e anijeve tregtare dhe veçanërisht anijeve me ngarkesa konteinerike, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII.