Puna në Portin e Durrësit i ka dhënë suport të madh për ekonominë familjare, rritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve, pavarësisht vështirësive e sakrificave të Anës në 35 vite rrugëtim profesional.
Aktualisht, znj. Mema është inspektore pranë zyrës së lejeve, por tregon se e nisi këtë rrugëtim në vitin 1987, që për shumëkënd mund të duket i largët, por jo për të, që i ka të memorizuara pamjen fillestare dhe ndryshimet që ka pësuar Porti në vite, kolegët e saj, rregulli e korrektësia në punë.
“ Isha nënë e dy fëmijëve të mitur në atë kohë, vajzës time Ildës dhe djalit tim Gesit. Kisha 5 vite që kisha përfunduar arsimin e mesëm, fatmirësisht m’u dha mundësia që të filloj punë si magaziniere në ofiçinën e Portit, që mund t’a them me plot gojën që ishte privilegj në atë kohë të punojë në një institucion kaq të rëndësishëm, jo vetëm për qytetin tonë, por për mbarë vendin.
Mbaj mend me detaje, kolegët e mi të parë, por edhe faktin sa admirohej dhe sa vlerësohej një njeri që punonte në Port në ato vite, pasi e gjithë jeta e qytetit tonë ishte lidhur me detin. Ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, që natyrisht e përktheva në përkushtim maksimal, duke shërbyer me pasion dhe profesionalizëm. Punova plot 20 vite në atë pozicion, me të cilin kontribuova në familjen time”, rrëfen Ana.
Ajo na tregon një prej momenteve më të vështira jo vetëm profesional, por edhe shoqëror që ka kaluar vendi ynë, vitin e mbrapshtë 1997, kur Porti pati pasoja të mëdha në infrastrukturë dhe funksionalitetin e tij.
“Nuk do ta harroj asnjëherë vitin 1997, kur trazirat e asaj kohe prekën edhe Portin. Mbaj mend, pasi kam parë me sytë e mi shkatërrimin që ju bë godinës kryesore ku ne punonim dhe në katin e sipërm të të cilës ishte kapiteneria e Portit. Mes vështirësive, u përshtatëm në ambiente të tjera, të sajuara dhe fatmirësisht gjerat erdhën duke u përmirësuar dhe u rikthyem në normalitet me shumë punë dhe vështirësi”, rrëfen Mema.
Pas 20 viteve në Ofiçinën e Portit, Ana u pozicionua Inspektore pranë Zyrës së Lejeve, ku është edhe sot, ku siç tregon ajo, zhvillimet dhe infrastruktura në shërbim të përdoruesve të Portit është përmirësuar ndjeshëm.
“Ka patur ecuri pozitive mënyra e shërbimit ndaj përdoruesve të Portit, pasi fillimisht bënim punë mekanike duke i shkruar faturat me dorë, por tashmë, me zhvillimet e fundit tekonologjike, çdokush që ka punë në Port, mund ta kryejë këtë proces online, në faqen zyrtare të Portit, duke mos krijuar vonesa as për ta dhe as për punën tonë.”, shprehet Ana në vijim të këtij rrëfimi për rrugëtimin e saj profesional.
“Motoja ime në jetën profesionale ka qenë dhe mbetet përkushtimi dhe korrektësia dhe ja ku jam sot, për 2 vite mbyll ciklin tim profesional për të vijuar me pensionin. Ju bëj thirrje brezit të ri, që ta dashurojnë punën dhe ti përkushtohet, pasi puna është jeta e njeriut”, e mbyll Ana këtë rrëfim, teksa vijon punën në zyrën e lejeve, ku tashmë ka 15 vite kontribut të përditshëm. /Durresport.al