Durrësi i jep sot lamtumirën e fundit njërit prej qytetarëve të tij, i cili është rrënjosur në memorien e shumë brezave. Nëse emri Abdulla Xhaferri nuk ju thotë gjë, shkurtimin Dyli, patjetër që e kujton kushdo.

Dyqani i Dylit është kthyer prej shumë vitesh tashmë në një toponim mjaft të përdorur për të orientuar dikë për të shkuar në destinacionin e kërkuar, apo për të lënë takim me dikë, aty afër spitalit të qytetit.

88-vjeçari Abdulla Xhaferri, por që të gjithë në Durrës e njohin si Dyli, ishte gjithnjë i pranishëm në dyqanin e tij të fruta-perimeve, pavarësisht moshës së thyer. Në orën 18.00 të ditës së sotme, ai përcillet për në banesën e fundit, tek varrezat e reja të qytetit.

Me karakterin e tij mjaft social dhe dashamirësinë ndaj bashkëqytetarëve të tij, Dyli mbeti përgjatë gjithë këtyre viteve një figurë karizmatike dhe një pikë takimi për moshatarët e tij, por edhe brezat e mëvonshëm.