Një tjetër klub i njohur italian ka shpallur falimentin! Bëhet fjalë për Katanian, që nga sot, 10 prill 2022, zyrtarisht nuk ekziston më! Klubi i krijuar në vitin 1929 është fshirë nga regjistri, të gjithë lojtarët janë të lirë, sezoni nuk do të përfundojë dhe një histori futbolli nga Siçilia tashmë është fshirë.
Borxhet e shumta të mbartura ndër vite, çuan klubin e njohur në këtë gjendje, ndërkohë që falimenti ishte rruga e vetme. Një humbje e madhe kjo për futbollin italian. Një fakt interesant, Katania është një klub me rreth 230 mijë tifozë, që e bën të 12-tin në Itali.
Së fundmi ishte duke milituar në Serinë C, teksa tashmë duhet të nisë gjithçka nga fillimi. Një fat të ngjashëm pati edhe Palermo, e cila e nisi nga grada më e ulët me një emër dhe stemë të re.
Për sa i përket Katanias, nuk duhet harruar, se në të kaluarën, klubi nga Siçilia, që ka qenë pjesë e Serisë A për shumë vite, ishte pjesë e skandaleve të ndryshme të trukimeve, u ndëshkuan me pikë dhe gjoba.





