Autoritetet ushtarake në SHBA kanë vendosur të marrin masa të rrepta për të parandaluar çdo sulm tjetër në Kapitol.

Nga fotot e publikuara duket se Ushtria e Gardës Kombëtare ka zbritur në terren dhe thuajse e gjithë ndërtesa është blinduar, ndërsa në hyrjen perëndimore të saj janë vendosur barriera mbrojtëse speciale.

Ndërkaq, bëhet e ditur se grupet e punës janë në terren dhe po punojnë me shpejtësi për të rregulluar të gjitha dëmet që u shkaktuan nga protesta e dhunshme në 6 janar, para se presidenti Joe Biden të marr detyrën zyrtarit, më datë 20 janar.

“Associated press” raportoi dje se FBI paralajmëron se një grup i armatosur do t’i drejtohet Uashingtonit, po më 16 janar, dhe “do të zhvillojë një kryengritje nëse Kongresi heq Presidentin Trump nga detyra, sipas një zyrtari të lartë të zbatimit të ligjit”.

Kujtojmë që, në 6 janar 2021, 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e protestës së dhunshme të zhvilluar në SHBA thirrur nga presidenti në detyrë Donald Trump, me pretekstin se votat në disa shtete amerikane ishin manipuluar.

Gjithashtu dhjetra të plagosur e të arrestuar u regjistruan si pasojë e kësaj proteste.