Është zhvilluar ditën e sotme cermonia e bregëzimit të fregatës franceze “Aconit” i klasit La Fayette (FLF), në portin e Durrësit.

Të pranishëm në aktivitet, përveç autoriteteve të larta ushtarake, ishin edhe përfaqësues diplomatik të akredituar në vendin tonë, mes tyre dhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Në një postim në rrjetet sociale, Autoriteti Portual Durrës shkruan se vizita e fregatës franceze “ka në fokus forcimin e bashkëpunimit mes Forcës Detare shqiptare dhe Marinës kombëtare franceze duke rritur shkallën e ndërveprimit përmes trajnimeve në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta në NATO.”

Postimi i plotë i APD-së:

Fotot e një vizite të veçantë në Portin e Durrësit: ceremonia e bregëzimit të fregatës franceze “Aconit” i klasit La Fayette (FLF)

Me rastin e vizitës së Fregatës franceze Aconit dhe me ftesë të Ambasadores së Francës, u mbajt në Portin e Durrësit ceremonia e mirëseardhjes me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta ushtarake dhe përfaqësuesve diplomatikë te akredituar në vendin tonë.

Vizita ka në fokus forcimin e bashkëpunimit mes Forcës Detare shqiptare dhe Marinës kombëtare franceze duke rritur shkallën e ndërveprimit përmes trajnimeve në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta në NATO.

Fregata Aconit ka filluar shërbimin aktiv në vitin 1999, dhe është një nga pesë fregatat e klasit La Fayette të Forcës franceze të veprimit detar. Si një anije luftarake polivalente, Aconit mund të operojë veçanërisht në misione të mbikqyrjes detare dhe të zbulimit.

PAK HISTORI:

Fregata aktuale është anija e pestë e marinës franceze që mban emrin “Aconit” në vazhdën e traditës së iniciuar nga Gjenerali Charles de Gaulle në vitin 1941, kur korveta e parë me këtë emër ishte pjesë e Forcave detare të lira franceze të cilat luftuan kundër pushtimit nazist përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në përkujtim të kësaj tradite anijet pasuese mbajnë në bashin e tyre flamurin e Forcave Detare të Lira Franceze me Kryqin e Lorenës.