Janë bërë të zakonshme rastet kur persona të rastësishëm, kalimtarë në rrugë dëmtojnë “pronën” e tjetrit si pa të keq.

I tillë është rasti që një banore e zonës së Spitallës, ka denoncuar në redaksinë e “DurrësLajm”.

Qytetarja, që ka preferuar të mbetet anonime, ka dërguar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të banesës së saj (Video 3), në të cilat shihet sesi një grua shkul me forcë lulet e mbjella në vazo, duke cënuar hapësirën private të banorëve.

Për këdo që nuk “e ka vuajtur në kurriz” diçka të tillë, kjo nuk përbën ndonjë problem madhor, por qytetarja e ka shoqëruar videon me mesazhin “Është për të ardhur turp për këtë veprim, që përsëritet herë pas here!”

Edhe pak ditë më parë, një denoncim i ngjashëm ka mbërritur në redaksinë tonë.

Një qytetar ka treguar rastin, ku 2 turistë, sipas tij kosovarë, këpusin lulet në hyrje të një biznesi privat.

Edhe këtë herë kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithçka (2 videot e para).