Ditën e sotme në seancën parlamentare kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetes së PD-së Jorida Tabaku e cila tha se uji në Tiranë që vjen në çezmat e qytetarëve, nuk është i pijshëm. Rama tha se me t’u kthyer në shtëpi do të pinte ujë nga çezma, madje tha se ishte i gatshëm që më pas të shkonte në shtëpinë e deputetes për të pirë edhe aty një gotë ujë nga çezma.
“Meqë si dëshmitar i zonjës Tabaku e ndjej për detyrë sot me t’u kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma dhe jam i gatshëm nëse zonja Tabaku do më presë në shtëpinë e saj të shkoj të pi dhe aty një gotë ujë nga çezma dhe do ta bëj video. Natyrisht do ta bëj video dhe do ta hedh jo në Twitter po do ta hedh në TikTok, ndërkohë jam i bindur që ti me siguri e ke ndonjë vajzë e ndonjë djalë që ta mëson TikTok-un si përdoret”, tha Rama.





