Humbja përballë Kadizit të hënën në mbrëmje nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit të Barcelonës, Ksavi Hernandez. Teksa skuadra ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e radhës, sonte në mbrëmje kundër Sociedadit, tekniku ka ngritur tonet. Atij nuk i ka pëlqyer aspak ajo çfarë ka parë në ditët e fundit, duke nisur nga eliminimi në Ligën e Europës përballë Frankfurtit dhe më pas humbja e papritur përballë Kadizit në La Liga.
Të martën, trajneri i Barcelonës ka zhvilluar një mbledhje me skuadrën ku nuk kanë munguar kritikat e forta dhe tonet e larta.Sipas gazetës “AS”, acarimi i trajnerit nuk ka qenë i papritur për lojtarët, pasi që pas humbjes me Kadizin, në konferencën për shtyp Ksavi u shfaq tejet i nxehur.
Trajneri ka hequr stofin e një personi që flet gjithnjë me mirësjellje dhe e ka nisur diskutimin e tij duke u renditur lojtarëve të tij gabimet e bëra ndaj Kadizit, mungesën e përqendrimit në lojë dhe gabimet e shumta në pasimin final.Ksavi u ka kujtuar lojtarëve se ndeshjet e futbollit nuk fitohen vetëm me talent, por duhet edhe karakteri, intensiteti dhe loja fizike. Trajneri i Barcelonës nuk është mjaftuar me kaq. Ai u ka kërkuar një reagim të menjëhershëm lojtarëve duke nisur nga takimi i sotëm në “Anoeta” përballë Sociedadit.
“Dua një ndryshim 100%, dua një reagim në çdo nivel.Ne jemi Barcelona, nuk mund të vijojmë me këto paraqitje qoftë dhe një minutë të vetme”, u ka thënë Ksavi lojtarëve.
Gjithsesi, trajneri i katalanasve nuk ka dashur të flasë me emra konkretë, por mesazhi ka qenë i qartë.Ndërkaq, në konferencën e djeshme për shtyp para ndeshjes kundër Sociedadit, Ksavi ka hedhur poshtë ndonjë zënkë të mundshme mes tij dhe skuadrës.
“Nuk ka pasur asnjë zënkë apo sherr. Thjesht ne i kemi thënë gjërat në sy ashtu siç janë”, ka deklaruar Ksavi.Numri një i stolit të katalanasve është ngacmuar në konferencën për shtyp edhe për rastin e Pikesë dhe përfshirjen e mbrojtësit në aferën e caktimit të Arabisë Saudite si vend organizator i Superkupës së Spanjës kundrejt përfitimeve financiare.
“Nuk dua të futem në një debat që nuk më përket edhe pse është i përfshirë një lojtar i skuadrës. Të gjithë e njohim Pikenë, tipin dhe karakterin e tij. Atij i pëlqen të jetë në gojët e të tjerëve. Unë preferoj të jem më i kujdesshëm, më diplomat.Por Pike është ndryshe, i pëlqejnë ngacmimet, i ka si drogë, të kuptohemi jo në kuptimin pezhorativ”, ka thënë Ksavi.





