Për shkak të motit të keq, që ka përfshirë gjirin e Durrësit që nga dita e djeshme, bova e cekinës e vendosur në det përballë universitetit “Aleksandër Moisiu” është këputur dhe ka përfunduar te Porti i Gjermanit.
Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që bovat shkëputen përshkak të detit të trazuar.
Një situatë e ngjashme u regjistrua në nëntor të vitit që lamë pas, kur dy bova të tjera u shkëputën dhe përfunduan njëra në afërsi të “Sfinksit” në Vollga dhe tjetra në Shkëmbin e Kavajës.
Kujtojmë se moti i keq ka shkaktuar problematika edhe në lundrimin e trageteve.
APD njoftoi gjatë pasdites se trageti i linjës Ankona- Durrës, “Af Marina” parashikuar për t’u akostuar gjatë mesditës së sotme, pritet të mbërrijë në orët e para të ditës së nesërme.
Për rrjedhojë, po ky target nuk do të kryejë lundrimin sipas itinerarit që kishte planifikuar për mbrëmjen e sotme, por pritet të niset nesër rreth orës 11:00 drejt brigjeve italiane (Bari).





