Autoritetet shëndetësore italiane bëjnë të ditur se të infektuarit e rinj nga pandemia kanë qenë 12,532 në 24 orët e fundit, një ulje e dukshme nga dje, kur ishin 18,627 raste, por me shumë më pak testime të kryera.

Sinjalet madje janë shqetësuese, duke marrë parasysh se raporti testime/pozitivitete është rritur sërish (13.6%), dhe se në rritje të dukshme janë edhe viktimat, 448.

Rajoni më i goditur është kësaj radhe Emilia Romanja, me 1942 raste, e ndjekur nga Veneto me 1715 dhe Sicilia me 1587.

Ndërkohë, autoritetet italiane mendojnë se kanë gjetur “pacientin 1”, ose më mirë pacienten.

Bëhet fjalë për një vajzë 25-vjeçare të cilës i ishte bërë një biopsi e lëkurës më 10 nëntorin e vitit 2019.

Pacientja në atë kohë kishte vetëm një skuqje të krahëve, patologji e lëkurës që tani e dimë që paraqitet si simptomë në rreth 5-10% të pacientëve me COVID-19, por që në momentin e analizës së vajzës ende nuk imagjinohej.