Asnjëherë banal, vullkanik dhe i pëlqen të argëtohet me lojtarët e tij. Ky është Jyrgen Klop. E shfaq çdo javë në Premier Ligë dhe në Champions: fitoi në 2019-ën dhe humbi finalen e 2018-ës.Për trajnerin gjerman gjëja më e rëndësishme është të provosh deri në fund dhe të mos reshtësh së argëtuari edhe gjatë një ndeshjeje për jetë a vdekje. Kështu ndodhi edhe pak orë përpara finales kundër Realit të Zidanit 4 vite më parë.

Ish-mesfushori i Liverpulit, Xhini Vajnaldum, zbuloi vite më parë se për të larguar tensionin nga finalja e Kievit në 2018-ën, gjermani veshi të mbathurat e markës “CR7”:“E përgatit ndeshjen me këmishën e futur nën bokserat e CR7. E gjithë skuadra përfundoi në dysheme duke qeshur me të madhe”. Dhe pas deklaratës së holandezit vjen edhe konfirmimi nga trajneri:“Disa vite më parë ndodhi që bleva të mbathura dhe mora ato nga rafti i Ronaldos. I kam ende, por nuk i kam veshur më. Gjatë finales i vesha dhe gjatë stërvitjes i mbajta pak më lartë, gati në kraharor. Ishte argëtuese”.