Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural lidhi së fundmi kontratën me kompaninë që do të hartojë projektin për zbatimin e punimeve për shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës. Kompanisë tashmë do t’i jepen 40 ditë kohë për të paraqitur projektin.
Por ku konsiston në fakt kërkesa e ministrisë?
Referuar objektit të kontratës “Shtimi i kapaciteteve ankoruese ne Portin e Peshkimit Durrës (Bankinë) Loti 1” sipas normativave të projektimit për porte do të shihen mundësitë për të rritur kapacitetin aktual të anijeve që ankorohen.
“Duke gjykuar nga kapacitetet aktuale të portit, aktualisht në të ankorohen 60% e anijeve të peshkimit të përmasave të ndryshme. Qëllimi i kësaj detyre është të shihet mundësia për një shtim kapaciteti ankorimi në pjesë veri-perëndimore të portit me gjatësi 200m duke pasur parasysh parametrat e nevojshëm për të tilla vepra” thuhet në dokumentet e ministrisë.
Kjo e fundit sqaron se Porti i peshkimit Durrës ndodhet në jugperëndim të valës së kalatës (kalata 1) të portit tregtar dhe është ndërtuar nëpërmjet një valëthyesi të jashtëm, paralel me portit tregtar, duke formuar një gji ujor të mbrojtur dedikuar flotës së peshkimit, e cila zë një sipërfaqe ujore prej rreth 5 ha. “Gryka e portit të peshkimit është e pavarur nga ajo e portit tregtar dhe ndodhet rreth 400m nga kjo e fundit. Aktualisht në të ankorohen rreth 60% e anijeve të peshkimit që bëjnë pjesë në flotën e peshkimit të Durrësit. Qasja e mjeteve tokësore në port bëhet nga brenda zonave të kufizuara të portit tregtar”
Zgjerimi i hapësirës ankoruese sipas MBZHR është menduar duke krijuar mundësi optimale ankorimi në pjesën veri-perëndimore me një gjatësi 200m duke e kthyer atë segment nga skarpate guri me koeficient pjerrësie 1ː1 (gjë që e vështirëson shumë ankorimin e anijeve) në skarpatë vertikale betoni të shfrytëzueshme për ankorim.
Konsulenti në fjalë duhet të hartojë si fillim raportin mbi gjendjen aktuale dhe të gjithë elementët teknikë të saj si dhe relacionin teknik mbi zgjidhjen dhe koston dhe më pas të hartojë projektin sipas variantit të dakordësuar. /Monitor