Hetuesit në Indonezi kanë gjetur pjesë të tjera nga avioni që u rrëzua të shtunën dhe i mori jetën 62 pasagjerëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit. Deri tani mësohet se hetuesit kanë zbuluar dy sinjale që mund të çojnë në gjetjen e të gjithë avionit që u rrëzua në det.
“Ne kemi zbuluar sinjale në dy pika. Kjo mund të jetë kutia e zezë”, u tha gazetarëve Bagus Puruhito, shefi i Agjencisë së Kërkimit dhe Shpëtimit në Indonezi.
Nga ana tjetër zyrtari i Marinës Indoneziane, Wahyudin Arif, deklaroi se ata kishin gjetur pjesë të dyshuara të avionit me gjatësi rreth një metër, pjesë e një gome dhe pjesë të trupit të viktimave.
Tashmë të gjitha pjesët e gjetura janë dërguar në laborator për ekzaminim të mëtejshëm. “Unë jam optimist se do ta gjejmë aeroplanin së shpejti”, tha për një konferencë për shtyp,Henri Alfiandi, një ndihmës i shefit të shtabit të Forcës Ajrore Indoneziane.
Avioni kishte në bord 12 anëtarë të ekuipazhit dhe 50 pasagjerë, të gjithë indonezianë, duke përfshirë shtatë fëmijë dhe tre foshnje. Boeing 737-500 u zhduk nga radarët katër minuta pas ngritjes.