Twitter ishte rruga më e rëndësishme e komunikimit të Donald Trump: Pas mësymjes së Kapitolit në Uashington, shërbimi i medias sociale merr vendimin e bllokimit të vazhdueshëm të presidentit në largim.
“Pas një verifikimi të kujdesshëm të tweet-eve të llogarisë @realDonaldTrump”, ajo është “bllokuar në mënyrë të vazhdueshme”, bëri të ditur Twitter. Arsyeja është “rreziku për një nxitje tjetër të dhunës”, bëri të ditur shërbimi i lajmeve të shkurtra. Në një argumentim të mëtejshëm, Twitter konkretisht iu referua dy mesazheve të presidentit Trump në largim, ditën e premte. Në njërin prej tyre Trump kishte shkruar, se të 75 milionë “patriotët amerikanë të shkëlqyer”, që kanë votuar për të në zgjedhje, do të kenë edhe më tej në të ardhmen “një zë vigan”. Ata nuk do duhet të nënvlerësohen apo të trajtohen pa të drejtë në ndonjë formë. Në një mesazh tjetër, Trump bëri të ditur, se ai nuk do të marrë pjesë më 20 janar në ceremoninë e dorëzimit të mandatit te pasuesi, Joe Biden.
Twitter e vlerësoi kombinimin e të dy mesazheve si të përshtatëshëm për nxitjen e njerëzve për akte të dhunshme në stilin e mësymjes së Kapitolit të mërkurën (06.01). Kështu njoftimi i Trumpit, se ai vetë nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit, mund të inkurajojë ata që e mendojnë edhe kryerjen e akteve të dhunshme, se „betimi është një ‚shënjestër‘ e sigurtë”. Po ashtu thuhet, se në Twitter dhe në platforma të tjera janë përhapur plane për protesta të ardhshme të armatosura, ku bëhet fjalë edhe për një sulm tjetër në selinë e kongresit më 17 janar.
Trump akuzoi Twitter se e kufizon lirinë e shprehjes dhe do ta bëjë atë „të heshtë”. Ai po planifikon ngritjen e një platforme të tijën online. Më parë ishte Facebook që e bllokoi faqen e Donald Trump. Kreu i Facebook, Mark Zuckerberg është shprehur, se Trump e ka përdorur Facebook për „të nxitur një rebelim të dhunshëm kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.”/DW