Personi që u fotografua me këmbët mbi tavolinën e kryetares së dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi në Uashington, gjatë sulmit të së mërkurës, është arrestuar të premten.
Richard Barnett, 60 vjec, nga Arkansasi, u arrestua nga policia dhe përballet tani me akuza federale. Barnett u arrestua nën akuzën federale për hyrje të dhunshme dhe dëmtim të pronës publike.
Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi ndërkohë se ka ngritur aktakuza ndaj 15 persona që janë përfshirë në sulmin në Kongres, përfshirë këtu një person i cili akuzohet për posedim të bombave. Mes të arrestuarve është edhe një person, të cilit i ishin gjetur në makinën e tij 11 bomba molotov.
Prokurori Ken Cole tha se të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme. Ai tha se një person akuzohet pasi ka hyrë me armë zjarri në Kongres, një tjetër sepse ka goditur një zyrtar policie, ndërkaq, një ligjvënës nga Uest Virxhinia po akuzohet se ka marrë pjesë në sulmin në Kongres.
Cole tha se FBI-ja po heton këtë ngjarje dhe persona të tjerë pritet të arrestohen dhe akuzohen. Dhjetëra persona janë arrestuar nga policia lokale në Uashington, pas protestave të dhunshme, por aktakuzat për të cilat njoftoi prokurori Cole, janë në nivelin federal dhe për to ka dënim më të rëndë.
FBI ndërkohë i është bashkuar policisë së Uashingtonit për të hetuar vrasjen e oficerit të policisë, Brian Sicknick, një veteran ushtarak nga Nju Jersey.
Ai vdiq pas plagëve të marra ndërsa mbronte ndërtesën e kongresit, ku mendohet se është goditur në kokë me një fikse zjarri. FBI ka lëshuar apele për ndihmë nga publiku për të identifikuar pjesëmarrësit në sulm, që përballen me arrestimin dhe daljen në gjyq.