Aktori i njohur George Clooney ka dalë kundër Presidentit në detyrë Donald Trump, pas trazirave që shkaktuan mbështetësit e tij në Kongresin Amerikan.
Në një deklaratë për “Hollywood Reporter”, aktori 59-vjeçar kritikoi Trump dhe familjen e tij si dhe i akuzoi ata se kanë nxitur dhunën dhe janë në anën e gabuar të historisë.
“Donald Trump dhe e gjithë familja e tij duhet të shkojnë në koshin e plehrave të historisë. Emri i tij tani do të shoqërohet përgjithmonë me kryengritjen. Ishte shumë e dhimbshme të shikoje Kongresin Amerikan të përdhosej në atë mënyrë.”, u shpreh ai.
Po ashtu aktori komentoi dhe debatin për aktivizimin e amendamentit të 25-të të Kushtetutës që synonte shkarkimin e Trump, duke thënë se do ishte diçka shpresëdhënëse për daljen nga situata ku është vendi ditët e fundit.
Komentet e Clooney bëhen pas trazirave të shkaktuara dy ditë më parë ku humbën jetën 4 persona, në një kohë kur Kongresi Amerikan certifikoi fitoren e Joe Biden.





