Nga Gëzim KABASHI

Notari Eqerem Korra nuk jeton prej kohësh.

Nëse do të ishte mes nesh, këtë vit ai do të festonte 90-vjetorin e lindjes.

Ky shkrim i publikuar 10 vjet më parë synon të rikthejë në vemendje një sportist bashkëqytetar të nderuar, si dhe të gjithë notarët e brezit të tij.
 
Eqerem Korra është i “gozhduar” në shtrat. Një sëmundje e rëndë e ka bllokuar prej vitesh notarin veteran, të cilin shokët e quajnë “ujku i detit”.

Në banesën modeste ku jeton, bashkëshortja e tij, Sadetja ruan me fanatizëm të gjitha fotografitë, shkrimet e gazetave dhe nderimet e shumta që i janë blatuar të shoqit, njeriut me të cilin ka kaluar një jetë.

“Nuk jemi martuar si të tjerët-i përgjigjet pyetjes sime. Isha shumë e vogël. Eqeremi më deshi dhe më morri në shtëpi. Nuk e mban mend Boni? i drejtohet më pas Mirbon Kadiut, notarit tjetër veteran, i cili ka ardhur të shohë mikun e
përhershëm.

Nuk është e vështirë ta rindërtosh jetën dhe karrierën sportive të Eqerem Korrës, “notarit fisnik” siç e përkufizon Mirbani shokun e tij.

Medaljet flasin vetë.

Një jetë mes ujrave

Ai ka lindur më 28 tetor të vitit 1932 dhe është lidhur shumë shpejt me detin, duke ndjekur gjyshin peshkatar, Sejfullain.

Mësuesi Baftjar Kona ia rekomandon djaloshin trajnerit Milorad Jeremiqi, i cili që në moshën 16-vjeçare e përfshin Eqeremin në ekipin e parë të Durrësit.

Notari i ri do të qëndronte së bashku me emra gati legjendarë për notin në Durrës si Taq Dafa, Sabri Kapexhiu, Burhan Truma, Sul Tufa, Shuaip Rexha, Xhoxh Koçi, etj.

Shumë shpejt specializohet në garat e gjysëmthellësisë dhe në garat e gjata. Një vit më vonë ai do të jetë fitues absolut dhe kampion kombëtar në garat 4 x 200 metra, 1000 metra, 1500 metra dhe 3000 metra.

Bashkëkohësit kujtojnë se rekordet dhe titujt e kampionit në garat 1000 dhe 3000 metra vazhdojnë të jenë po ato të vitit 1949 me fitues Eqerem Korrën, pasi këto distanca notimi u hoqën më pas nga lista e konkurimeve kombëtare.

Bashkëqytetari ynë ka vazhduar të notojë në rang kombëtar deri në vitin 1962. Për 15 vjet radhazi Eqerem Korra do të koleksiononte 45 medalje kampioni, ndërsa do të thyente 17 rekorde kombëtare.

Nuk ka qenë aspak e lehtë për Mjeshtrin e Sportit Eqerem Korra i cili tashmë konkuronte jo vetëm me legjendat e notit të pasluftës, por edhe me notarë bashkëmoshatarë dhe më të rinj si Mirban Kadiu, Shaban Mullaliu, Koço Afezolli, Shaqir e Surja Kapexhiu, e më pas Kastriot Karamuço, Niko Kurani, e të tjerë kampionë.

… Në dhomë ka hyrë pa u ndjerë nipi 20-vjeçar, që ka emrin e gjyshit Eqerem Korra.

“Kemi 6 vajza dhe dy djem – e zë përsëri fillin e bisedës Detja. Një pjesë janë në Itali. Kurse nipa e mbesa kemi plot 17 – qesh ajo.

“Si ia keni dalë? –e pyes.

“Ja me shpatullat e këtij – e zë për krahësh ajo Eqeremin. Kemi punuar, shumë herë duke sakrifikuar edhe gjumin”. “Qeremi gjuante për peshk natën dhe fitonte diçka, ditën shkonte në punë në Kantier e NI Goma, ndërsa pasdite stërvitej me shokët në port”.

Nuk ka qenë e lehtë për familjen e Eqerem Korrës, por ai nuk është ankuar
asnjëherë, ashtu siç nuk binte në sy para se të hidhej në garë.
 
Pasioni për një ëndërr

“Njeri fisnik” na bien përsëri ndërmend fjalët e shokut të tij Mirban Kadiut.

“Noti ishte pasioni i jetës së tij-tregon Boni, i cili ka rifilluar të garojë përsëri përkrah Eqeremit në moshën … 62-vjeçare.

Ata vazhdonin të notonin, por nuk kishin menduar se do tu ktheheshin pishinave për të pritur me ankth mbi pedanë sinjalin e nisjes së garës.

Festa tradicionale e detit në vitin 1995 në Durrës është bërë shkak për të nisur stërvitjen.

Gara është garë dhe veteranët e ujit janë stërvitur disa javë radhazi. Eqerem Korra, Shaban Mullaliu, Koç Afezolli, Vlash Dhima dhe Bon Kadiu i kanë dhënë të rinjve durrsakë një shembull të madh: “Nuk është e rëndësishme mosha, por pasioni për ta realizuar një ëndërr”.

Ëndrra e kampionëve nuk do të mbaronte këtu. Me nismën e tyre dhe mbështetjen e Federatës së Notit në vitin 1998 fillojnë garat e notit për veteranët, e bashkë me to edhe maratonat.

Sportistët e Durrësit janë në vijën e parë. Ndër të parët Eqerem Korra, të cilin nuk e mposht as mosha, as lodhja e viteve të gjatë të punës së sforcuar dhe të notimit në garat e distancave të gjata.

Bashkia e Durrësit e shpërblen notarin veteran me titullin “Mirënjohja e qytetit” (2005), Federata e notit e shpall “Nderi i notit shqiptar” (2002), ndërsa ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i akordon “Medaljen e Artë” për “Merita në fushën e Sportit” (2003).

Eqerem Korra prej 5 vitesh është gozhduar në shtrat nga një paralizë.

Notari fisnik që i ka dhënë qytetit dhjetra tituj kampioni e rekordmeni ka nevojë ta ndjejë më afër qytetin e lindjes. Durrësi duhet ta dëgjojë “heshtjen” e Eqerem Korrës.