Pas dështimit të raundit të parë të zgjedhjes së presidentit, Partia Socialiste dhe opozita, do të ulen së bashku, në përpjekje për të gjetur një kompromis paraprak për presidentin e ri të vendit. Takimi mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare do të nisë në Kryesinë e Kuvendit në orën 10:00.
Taulant Balla i kërkoi PD-së të propozojë kandidatin e saj në Kuvend nëse i ka 20 firmat e deputetëve ndërsa Enkelejd Alibeaj ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet e hapur për mediat dhe transparente për mos “t’u bërë pjesë e kulisave dhe marrëveshjeve të errëta”.
Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit u dogj pa asnjë kandidaturë ndërsa deri në raundin e dytë më 23 Maj palët kanë afat për një emër konsensual.
Debatet deri tani janë fokusuar kryesisht te kriteret që do të duhet të përmbushi presidenti i ri i vendit, dhe palët janë treguar skeptike për të dhënë emra konkretë, që do të mund të gjenin një mbështetje me bazë të gjerë jo vetëm në Kuvend por edhe në publik.





