Gabimet gjatë transmetimeve televizive janë gjithnjë prezente, e një e tillë ka ndodhur edhe mbrëmjen e djeshme në studion e Proçesit Sportiv.

Teksa po diskutonin klasifikimin e Kategorisë Superiore, ra në sy se në renditje në vend të dytë ishte emri i Partizanit, kur në fakt ai pozicion aktualisht i takon Teutës.

Por, pavarësisht gabimit, ky fakt nuk ra në sy të të pranishmëve dhe në këtë formë u anashkalua pa vetëdije e vërteta. Diçka e tillë duket se nuk i ka lënë një shije të mirë kapitenit të Teutës, Renato Arapi.

Mbrojtësi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka reaguar duke theksuar me ironi se e di që Durrësi është “larg” kryeqytetit, por nuk shkon që ekipit të tij t’i mungojnë pikët që i ka të fituara gjatë këtyre javëve.

Kështu, nëse gjithçka do të ishte në rregull, atëherë në vend të dytë duhej të vendosej Teuta me 20 pikë dhe Partizani me një pikë më pak se Djemtë e Detit.