Javën e kaluar u mbajt në Tiranë Forumi i 7-të i Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR) ku morën pjesë 500 përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe 10 nga vendet e rajonit
Mbajtja e këtij forumi në Tiranë shënon ngjarjen kulmore të presidencës shqiptare, ndërsa për herë të parë në të mori pjesë edhe San Marino.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, i pranishëm në 3 ditët e zhvillimit të punimeve të këtij forumi vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe perspektivën e re të marrëdhënieve reciproke mes vendeve pjesëmarrëse. Sipas tij, ky forum krijoi mundësi të reja ndërlidhjeje mes vendeve anëtare me qëllim “rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve të rajonit, në fusha të ndryshme si transporti, teknologjia, turizmi etj.”
Ky forum shënoi një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi për herë të parë vendi ynë pati kryesimin e Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR)”. Në ditën e tretë të punimeve të forumit u nënshkrua rezoluta për rritjen e rolit të Dhomave të Tregtisë të rajonit.
“Dolëm me një rezolutë me qëllim rritjen dhe forcimin e rolit të Dhomave të Tregtisë në rajon dhe rritjen e zhvillimin e aktiviteteve të tjera përsa i përket zhvillimit ekonomik të rajonit Adriatiko-Jonian”,- tha Isteri për “DurrësLajm”.
Në Forum morën pjesë delegacione nga 10 vendet anëtare të NAJ/EUSAIR, si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Sekretariati i NAJ, Universitetet, Dhomat e Tregtisë, shoqëria civile, organizata rinore, etj.
Presidenca e ardhshme e këtij forumi NAJ/EUSAIR i kalon Bosnjës dhe Hercegovinës.





