Kur temperaturat bien, lëkura është organi që preket menjëherë. Të gjithë kemi përjetuar tharjen e duarve dhe buzëve apo dhe çarjen e tyre nga i ftohti. Përmes ushqimit ju mund të furnizoni lëkurën me vitamina dhe minerale të cilat i shërbejnë për t’u rigjeneruar.
Ju tregojmë më poshtë disa prej ushqimeve që kanë një rol kryesor në parandalimin e tharjes dhe dëmtimit të lëkurës nga i ftohti.
Shega
Shegët janë të pasura me antioksidantin polifenol që mbron lëkurën gjatë gjithë vitit. Ky frut përmban dhe acidin elagjik, një tjetër antioksidant që ul përqindjen e humbjes së kolagjenit, pra e mbron lëkurën nga plakja.
Patatet e ëmbla
Ky perim falë dy substancave që përmban, vitaminën A dhe betakarroten, mbron lëkurën nga i ftohti. Vitamina A ndihmon në riparimin e lëkurës së dëmtuar nga faktorët klimatik. Ndërsa betakarroteni forcon barrierën mbrojtëse duke nxitur hidratimin e lëkurës.
Lakra
Mos u gënjeni nga pamja e rrudhosur e gjetheve të lakrës, pasi në realitet ajo ka një efekt përmirësues për lëkurën. Në bazë të të dhënave, lakra përmban nivele të larta të vitaminës A dhe C. Të dyja këto substanca, sidomos vitamina C, nxisin prodhimin e kolagjenit në organizëm.
Vezët
Mund t’i quajmë dhe si super ushqimi, pasi janë plot me vlera ushqyese. Vezët janë një burim kryesor për vitaminën A dhe E që luajnë rol kryesor në rigjenerimin e qelizave të lëkurës. Ndërsa vitamina B5 kontribuon në prodhimin e keratinës, disa mikroqeliza që garantojnë mbrojtjen e lëkurës nga faktorët e jashtëm. Omega 3 dhe vitamina D favorizojnë një shkëlqim të lëkurës si dhe parandalimin e inflamacionit.
Agrumet
Portokallet, limonët e qitrot janë të pasur me vitamina C, që është një antioksidant i fuqishëm që garanton rini të lëkurës. Ajo gjithashtu parandalon dhe eliminon njollat e errëta që krijohen si pasojë e dëmtimit nga dielli.
Arrorët
Të gjithë arrorët janë burim thelbësor i acidit alfa-linolik, një acid yndyror si omega 3 por me bazë bimore, që mbron membranat e qelizave të lëkurës. Përmes këtij acidi lëkura nuk e humbet hidratimin e saj, madje dhe rigjenerohet më shpejt.
Farat e lulediellit
Niveli i lartë i vitaminës E që gjendet tek farat e lulediellit forcon lëkurën, duke i ruajtur elasticitetin e saj natyral. Gjithashtu ajo ruan qelizat nga radikalët e lira që shkaktohen nga rrezet e dëmshme të diellit. Për më tepër këto fara të vogla janë të pasura me omega 6, substancë që siguron regjenerimin e qelizave. /AgroWeb