Osteoporoza është sëmundje që dëmton shumë kockat. Sipas saj, janë disa elemente të kockës që me kohën, humbasin nga kjo sëmundje dhe e dobësojnë shumë atë, duke sjellë deri thyerjen e saj.
Prof. As. Teuta Backa, shefe e shërbimit të Reumatologjisë në QSUT, tregon se si mund të parandalohet kjo sëmundje, ushqimet që duhen konsumuar dhe ato që nuk duhet të përdoren.
Sipas saj, kjo sëmundje duhet mjekuar që në fillim, me qëllim që të mos kemi fraktura, pasi në momentin që ndodh fraktura, kostoja është shumë e lartë. Osteoporoza mjekohet dhe parandalohet në fazat e para.
Sëmundja
Osteoporoza ose kocka poroze, është sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe kualiteti i saj, reduktohet gradualisht. Gjatë osteoporozës, kocka bëhet më poroze dhe më e thyeshme.
Humbja e masës kockore, ndodh në mënyrë të heshtur dhe në mënyrë progresive, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë dhe në shumë raste. është ajo e cila evidenton osteoporozën. Prandaj. osteoporoza është quajtur si “epidemi e heshtur”.
Sa më shumë rritet poroziteti i kockës. aq më shumë rritet risku për fraktura. Frakturat mund të ndodhin pas një rënie fare të vogël apo dhe si rezultat i një aktiviteti/veprimi të zakonshëm të përditshëm. Frakturat zakonisht ndodhin në krah, dorë, shpinë, këllqe dhe legen.
Frakturat më të shpeshta dhe më serioze, janë ato të legenit dhe shpinës. Kockat e thyera shkaktojnë dhimbje të forta, palëvizshmëri dhe paaftësi afatgjatë: rezultati është cilësia e dobët e jetës dhe humbja e pavarësisë për të kryer aktivitetet e përditshme, në mënyrë të pavarur.
Simptomat
Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës, ndodh gradualisht dhe është pa dhjimbje, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë se një person po zhvillon osteoporozën. Për këtë arsye, osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”.
Megjithatë disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktim të gjatësisë trupore me disa centimetra apo fraktura, mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh, shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.
Faktorët e riskut
Disa faktorë duket se shtojnë riskun për osteoporozë, si p.sh., gjinia apo mosha dhe nuk mund të ndryshohen, ndërsa faktorë të tjerë (pirja e duhanit, alkoolit, dieta e mangët me kalcium dhe vitaminë D, mungesa e aktivitetit fizik, etj.,) janë të lidhur me stilin e jetesës dhe mund të modifikohen.
Ushqimet
“Duhet të konsumohen shumë bulmetrat, ku kalciumi është i lartë, po ashtu zarzavatet dhe peshku. Po kështu e rëndësishme është marrja e rrezeve të diellit, në orët e duhura dhe jo në oraret kur dielli është shumë i fortë dhe rrezet janë të dëmshme. Duhani dhe alkooli janë shumë të dëmshëm, ndaj nuk duhen të përdoren”, – thotë dr. Backa. Sipas saj, më të rrezikuara janë gratë mbi moshën 50 -vjeçare, kur nis edhe menopauza, pasi në këtë kohë ndryshojnë hormonet dhe nis dobësimi i kockës. Kjo sëmundje rrezikon më shumë gratë me ngjyrë dhe burrat janë më pak të prekshëm nga kjo sëmundje.
Faktorë risku të pandryshueshëm
Për shfaqjen e sëmundjes ndikojnë edhe një sërë faktorësh të cilët janë të pandryshueshëm. Në to gjejmë moshën; humbja e indit kockor, në përgjithësi, fillon pas moshës 40-50 vjeç, atëherë kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. Kështu, me kalimin e moshës rritet risku për osteoporozë. Faktor tjetër është gjinia. Gratë, në mënyrë të veçantë ato pas menopauzës, janë më të rrezikuara për osteoporozë. Ndryshimet hormonale të cilat ndodhin në menopauzë, janë një nga arsyet pse femrat janë në risk më të lartë për osteoporozë, se sa meshkujt. Histori familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit) me osteoporozë ose thyerje që rezultojnë pas një goditje apo rënie fare të vogla, tregojnë risk për osteoporozë. Po kështu edhe një frakturë e mëparshme, fare pa shkak, rrit riskun për një frakturë tjetër, gati 2 herë.
Edhe menopauza – gratë në menopauzë duhet të jenë më vigjilente për shëndetin e kockave. Hypogonadizmi te meshkujt – ashtu si deficiti i hormoneve estrogjen te femrat në menopauzë, deficienca e androgjenëve tek meshkujt, rrit riskun për osteoporozë. Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve si: kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptik, citostatikë, etj., janë faktorë të tjerë të shfaqjes së sëmundjes. Edhe artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike si malabsorbimi, sëmundje kronike të mëlçisë, hyperthyroidismi, etj., sjellin osteoporozë. Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, njerëzit duhet të jenë në dijeni të tyre, në mënyrë që të marrin masa për të reduktuar humbjen e masës kockore, sa më shpejt të jetë e mundur.
Faktorë risku të modifikueshëm
Disa prej faktorëve risk për osteoporozën mund të mbahen nën kontroll, pra, janë të modifikueshëm. Kjo do të thotë se çdo njeri mund të reduktojë ndikimin e këtyre faktorëve për osteoporozë dhe fraktura. Këta faktorë përfshijnë konsum i lartë i alkoolit, – njerëzit që pinë më shumë se 2 njësi në ditë alkool, rrisin deri 40% riskun për frakturë nga osteoporoza.
Pirja e duhanit
Studimet tregojnë se ata që pinë duhan, janë më në risk se ata që nuk pinë. Indeksi i ulët trupor (IMB< 19-20kg/m2) është i lidhur me humbjen e masës kockore dhe rritjen e riskut për fraktura. Po kështu edhe mënyra e të ushqyerit, është një tjetër faktor ndikues.
Nëse kemi ushqyerje të varfër me kalcium dhe proteina – një dietë e ulët në kalcium dhe proteina rrit riskun për osteoporozë. Marrja e pakët/deficiti në vitaminë D – vitamina D është esenciale, sepse ndihmon në përthithjen e kalciumit në gjak. Të rriskuar janë edhe personat që bëjnë jetë sedentare, kanë më tepër mundësi për fraktura se të tjerët. Për shembull, femrat të cilat rrinë ulur për më tepër se 9 orë në ditë, kanë 50% më tepër mundësi për fraktura të legenit se ato që rrinë ulur më pak se 6 orë.