Mëngjesi i së shtunës i ka gjetur punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit të angazhuar me largimin e pirgjeve të mëdha me leshterikë që la pas fortunali i fundvitit në Durrës.
Për shkak të detit të trazuar, grumbuj me leshterikë pushtuan të gjithë shëtitoren “Taulantia”, madje shumë prej tyre “kapërcyen” edhe shkallaret që zbresin në det duke u shpërndarë përgjatë një pjese të konsiderueshme të sipërfaqes së lungomares.
Megjithëse aksioni i NSHK-së pati nisur që në datë 29 dhjetor, sasia mjaft e madhe e depozituar përgjatë gjithë gjatësisë së shëtitores dhe moti i keq që na shoqëroi në datat 28-30 dhjetor, e vështirësonte operacionin për largimin e “maleve” me leshterikë.
Vetëm rreth orëve të mesditës, shëtitorja u “çlirua” dhe gati për të pritur qytetarët që në këto ditë festive e frekuentojnë atë në çdo orë të ditës.
“DurrësLajm” pati paralajmëruar gjatë kohës kur po kryhej rikonstruksioni i saj se projekti rrezikonte të mbulohej nga leshterikët, sidomos gjatë muajve të dimrit.
Mos ngritja e barrierave mbrojtëse në det e ekspozon vendin më të preferuar të durrsakëve ndaj kapriçove të motit të keq. Megjithëse depozitimi i maleve me leshterikë gjatë ditëve me mot të keq është një fenomen mjaft i njohur në Durrës, hartuesit e projektit mbyllën sytë para këtij fakti dhe rezultati është ky që pamë të gjithë gjatë ditëve të fundit të vitit 2020.





