Nga BUJAR QESJA
Jo pa qëllim kolegu Seferaj, më dha mundësinë historike për t’u rradhitur krahas të tjerëve, në një monografi kushtuar kalorësit të futbollit shqiptar Panajot Pano. Dhe sgurisht ky nder më takon, mbase edhe thjesht për të thënë se Pano lindi në Durrës me 7 mars 1939. Dhe autori i këtyre rradhëve u lind në Durrës 12 vite më pas. Krenohem që Durrësi nderohet me këtë dukuri tërheqëse. Pra unë dhe Pano jemi të lindur në një qytet. Dhe Seferaj nuk mund ta anashkalonte këtë fakt.
Vrava mëndjen se si mund të justifikoj përgjegjësinë e madhe, që më ngarkoi shkrimtari i mjaft veprave sportive Sotir Seferaj. Cila do të ishte e veçanta ime këtu? Sigurisht do të luaj dhe vërtitem rreth vendlindjes tonë, Durrësit. Pano kur ishte me frymë si ne, mendoj se duhet t’i ketë ditur veçantitë e vendit ku është lindur. Mbase edhe jo.
Nuk e kam thjesht për Durrësin si qytet, por për lagjen ku u dëgjua për herë të parë e qara e një foshnje. Dhe kjo foshnje nuk do të ishte e zakonshme, për të thënë pa as më të voglin hezitim e jashtëzakonshme.
Në Durrës me 7 mars 1939, kishte lindur një mbret, një monark jo i vëndit por i futbollit. Emri i tij në këtë ditë nuk kishte pse të tërhiqte vëmëndjen, pasi ishte një i porsalindur si të gjithë të tjerët. Por më pas emri Panajot Pano, do të ishte gjëmues. Ai do të thërritej me të gjitha epitetet dhe krahasimet, ku tani më duken se të gjitha janë të konsumuara, duke më vendosur në darën e vështirë të gjetjes. Nuk e di mbase ma kanë zënë edhe këtë, por do ta quaja thjesht:“Panajot Pano, i pari i futbollit”.
Lagja ku lindi Pano quhet “Sefer Efendiu”. Ka një ngjashmëri në këtë rast, ndërmjet Sefer Efendiut të famshëm dhe Panajot Panos. Rrugës “Sefer Efendiu” vendasit i thonë “Sefer Efeniu”. Por mbetet një rrugë legjendare, me shumë histori, me njerëz gjigandë të veprimit, të patriotizmit, të kulturës dhe qytetarisë, të sportit dhe civilizimit, të punës dhe ndërtimit, të qendresës dhe historisë pikante të Durrësit. Rruga “Sefer Efendiu”, vendi ku lindi Panajot Pano, sikur është vetë Durrësi. Ku ngjason Pano me Sefer Efendi Kazazin?
Pas mbarimit të Akademisë ushtarake në Stamboll Sefer Efendiu, emërohet komandant i trupave turke në Urën e Mostarit në Bosnje Hercegovinë.Në njërin prej lokaleve më të preferuara të elitës ushtarake turke, ai filloi të këndojë një këngë shqiptare. Por një kolonel turk iu shpreh:“Pis arnaut, Shqipëria nuk ekziston”! Kaq iu desh Seferit, të nxirrte shpatën dhe t’ia prente kokën turkut kërcënues. E dënuan me vdekje. Por është histori më vete se si shpëtoi.
“Koka” preu edhe Panajot Pano. Janë koka të famshme të futbollit kombëtar dhe ndërkombëtar. Para Panos, klasit të lartë të futbollit që luajti, mëndjes së artë që çfaqte në triblime, kundërshtarët ishin më shumë se “koka të prera”. Panajot Pano i vetëm u kthye në fuqi futbolli, ku energjia e pashtershme e tij gjeneroi klasin e lartë të një ylli, që mbetet i palëvizur në qiellin e përjetësisë.
Këtu ku lindi futbollisti me nam Panajot Pano, kanë banesën dhe kanë jetuar i nipi i Sefer Efeniut, i paharruari i atletikës Rifat Kazazi dhe të tjerë emra të mëdhenj si “Mjeshtëri i Merituar” i futbollit Abdulla Duma, gjyqtari ndërkombëtar Shazivar Gruda, Mjeshtëri Ndërkombëtar i shahut Fatos Muço, mjeshtëri pikant i 38-të medaljeve në not Mirban Kadiu, heroina e sporteve Bernardina Qerraxhia, “Mjeshtëri i Merituar” i boksit Ymer Reçi, delfinisti Burhan Truma, notarët vëllezërit Kapexhiu, basketbollisti Ibrahim Kurtbegovi, dhe fise të tjera të njohura si Novat, Ferrat, Rubjekat, Xhenetët, Kuqët, Rrogozhinat, Kollakët, Xhaxhitë, Reçët, Jasinët, Voglët, Pusët, Kapllanët, Gjepalët e shumë e shumë të tjerë.
Po në Durrës do të lindej në vitin 1949 Rebeka Gjini, gruaja e ardhshme e Panajot Panos. Dhe Durrësi i solli fat familjes Gjini, sepse para Rebekës nuk jetuan katër fëmijë të kësaj familje të nderuar. Pra Rebeka erdhi me këmbë të mbarë.
Dhe në se më duhet të flas për Panon, do të mjaftohem vetëm me dy shprehje që më duken më shumë se të goditura.
Franc Bekenbauer: “Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, – është shprehur për shtypin gjerman “Kaizeri” i famshëm.
Rexhep Spahiu (trajner i “Partizanit”): Më mirë një Pano me një këmbë në fushë, sesa një tjetër me dy”.
Ai është vlerësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, si futbollisti shqiptar më i miri i të gjitha kohërave.
Kam një kujtim të rrallë dhe shumë të veçantë me Panon.
Duhet të ketë qenë 5 vjetori i krijimit të Shoqatës Sportive “Gerd Myler 92”, diku nga viti 1997 kur jam takuar me Panajotin në Hotel “Florida” në plazhin e Durrësit. Këtu është fiksuar edhe kjo foto. Pano ka qenë 58 vjeç, ndërsa unë 46. Por kemi dalë si dy të njohur të hershëm. Pano kishte shpirt dhe jo vetëm në fushë. Mbetet i rrallë edhe në komunikim.
Më vjen keq, që kur ai u largua nga futbolli në vitin 1975, nuk kisha arritur ende të bëja një transmetim pikant në “Radio Tirana” , në pozicionin e radiokronistit për këtë futbollist ëndërrash.
Në mesin e viteve 60-të, kur Joti ishte në kulmin e formës, “Partizani” i ndritur i futbollit luante në Durrës me “Lokomotivën”. Këtë mjeshtër plot finesë në triblime, e mbante një mesfushor vendas modest. Quhej Nderim Hoxha. E cili bir nëne mund ta mbante këtë këmbëshpejtë të futbollit? Hoxha përpiqej me maksimumin e forcave të tij ta markonte dhe Pano e ndiqte me buzëqeshje. I ikte me kujdes këtij mbulimi, por pa dashur ta vendosë në pozitë të vështirë mesfushorin durrsak.
Ndonëse Pano është larguar nga jeta në vitin 2010, ai mbetet pjesë e përjetshme e jona, e historisë qytetare dhe sportive të vëndit të tij, të popullit të tij që e deshi me shumë shpirt dhe me shumë zemër.
Durrës: 7 qershor 2022





