Një video e shpërndarë së fundmi në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, ka nxitur reagime të shumta në publik.
Për këtë çështje ka reaguar edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit nga radhët e Partisë Socialiste, Hekuran Markola, i cili e konsideron situatën si një valë dezinformimi të qëllimshëm ndaj muxhahedinëve të kampit Ashraf 3 në Shqipëri.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se “këto nuk janë thjesht lajme të rreme, por përpjekje të qëllimshme për të deformuar realitetin dhe për të helmuar opinionin publik”, duke shtuar se pas tyre mund të qëndrojnë interesa të errëta dhe aktorë të lidhur me regjime armiqësore ndaj Shqipërisë.
Sipas tij, muxhahedinët nuk meritojnë të përfshihen në narrativa të tilla, ndërsa thekson se ka qenë vetë në kampin Ashraf 3 dhe njeh nga afër jetën dhe përkushtimin e tyre.
Ndërkohë, lidhur me videon që qarkulloi në rrjet, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila bën me dije se janë kryer verifikimet përkatëse dhe janë identifikuar dy gratë që shfaqen në pamje. Sipas autoriteteve, ato janë shtetase iraniane me leje qëndrimi për arsye humanitare dhe deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka asnjë provë që të kenë kryer veprime të kundërligjshme apo të përbëjnë rrezik për të miturit.
Postimi i plotë:
Kam ndjekur me shqetësim të thellë valën e shpifjeve dhe të pavërtetave që po qarkullojnë këto ditë për muxhahedinët e kampit Ashraf 3 në Shqipëri. Këto nuk janë thjesht lajme të rreme—janë përpjekje të qëllimshme për të deformuar realitetin dhe për të helmuar opinionin publik. Jam i bindur se pas tyre qëndrojnë interesa të errëta dhe aktorë të lidhur me regjime armiqësore ndaj Shqipërisë, që synojnë të dëmtojnë marrëdhënien e natyrshme dhe respektin reciprok mes muxhahedinëve dhe popullit shqiptar.
Nuk flas nga hamendja. Kam qenë vetë në kamp, kam parë nga afër jetën dhe përkushtimin e tyre, dhe kam miq brenda tij. Ajo që i bashkon është një kauzë e qartë dhe e drejtë: rezistenca për demokraci dhe liri për popullin iranian. Këta njerëz nuk meritojnë të njollosen nga shpifje të fabrikuara.
Është koha të refuzojmë dezinformimin dhe të qëndrojmë në anën e së vërtetës.
Ndal shpifjeve.





