Në raportin e publikuar së fundmi nga SHISH, thuhet se Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në favor të paqes dhe sigurisë rajonale e globale.
Për më tepër, vendi ynë ndjek një politikë konstruktive rajonale, të mbështetur në parimet e bashkëpunimit, drejt proceseve integruese euroatlantike, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.
Gjithsesi, qenia e Shqipërisë pjesë e Aleancës, pozicionimi i qartë pro-perëndimor, roli aktiv që luan në rajon e më gjerë e kanë shndërruar në një objektiv të politikës së jashtme të aktorëve të tretë, të cilët synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale, nëpërmjet cenimit të kohezionit social dhe etnik, instrumentalizimit të faktorëve nacionalistë në rajon, përdorimit të propagandës dhe dezinformacionit, rritjes së influencës malinje etj.
Mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor vijon të karakterizohet nga zhvillime të brendshme politike të brishta, që tregojnë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm (problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korru-psioni, krimi i organizuar), ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe politike në rajon.
Prirjet separatiste, të mbështetura e nxitura nga aktorë globalë e rajonalë, faktorizimi i subjekteve politike me agjenda nacionaliste ekstreme, tensionet në marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë dominuar skenën e zhvillimeve politike gjatë 2021-shit, duke u kthyer në kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, dhe duke favorizuar strategjinë gjeopolitike të aktorëve jo-perëndimorë, për rritjen e influencës dhe mbështetjen e aktorëve proxy në rajon.
Mbështetja diplomatike e aktorëve të tretë ndaj veprimeve destabilizuese të entiteteve dhe subjekteve ekstremiste e nacionaliste rajonale, demonstrimi i panevojshëm i forcës dhe i mjeteve ushtarake në kufijtë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe rritja e pranisë dhe aktiviteteve në terren të shërbimeve të inteligjencës së huaj, konfirmuan hapur bashkëpunimin dhe qëllimin e tyre të përbashkët për të destabilizuar rajonin. Për më tepër, këta aktorë kanë qenë dhe vijojnë të jenë shumë aktivë dhe të sinkronizuar në veprimet e tyre, për të bllokuar çdo përpjekje të shteteve të rajonit për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare, apo për tu faktorizuar në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu, ndërhyrja e aktorëve të jashtëm dhe entiteteve proxy të tyre është bërë më e dukshme edhe në zhvillimet e brendshme dhe ndër-shtetërore politike në rajon, nëpërmjet mbështetjes dhe nxitjes hapur të retorikës nacionaliste dhe kërcënimeve për rindarje të shteteve mbi baza etnike, duke përbërë një rrezik potencial për gjithë rajonin e Ballkanit. Përveç përpjekjeve dhe agresivitetit për të shtuar influencën në rajon, aktorët e tretë dhe proxit e 5 SHËRBIMI INFORMATIV I SHTETIT tyre vijojnë gjithashtu bashkëpunimin ushtarak, si për blerjen dhe modernizimin e armatimeve e pajisjeve ashtu dhe për zhvillimin e stërvitjeve ushtarake të përbashkëta. Objektivi parësor i aktorëve jo-perëndimorë në rajon mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar: ruajtja e status kuosë, pengimi i zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe vonimi i proceseve euro-integruese. Prej vitesh, rajoni i Ballkanit është shndërruar në arenë të rivalitetit gjeopolitik Lindje-Perëndim për çështje të sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për proceset integruese euroatlantike.
Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se rajoni ndikohet nga propaganda, aktivitetet influencuese, të inteligjencës dhe nga diplomacia agresive, sidomos në prag të vendimeve të mëdha gjeopolitike.
Aktivitetet influencuese zhvillohen sipas specifikave të vendeve të rajonit, duke ndërthurur përdorimin e aktiviteteve të inteligjencës me diplomacinë dhe median, por edhe organizma të tjerë proxy në rajon, me forma klasike dhe hibride, për ta paraqitur çdo problematikë ndërshtetërore apo të brendshme në vendet e rajonit si potencial për konflikt. Pas çdo zhvillimi të rëndësishëm politik në vendin tonë dhe rajon, ka deklarata të hapura nga diplomacia e vendeve jo-mike kundër rolit të faktorit perëndimor dhe organizmave euro-atlantike.
Në narrativën e tyre, zgjerimi i NATO-s në rajon pasqyrohet si “humbje e sovranitetit të vendeve” dhe se “anëtarësimi në NATO nuk ka sjellë sigurinë e pretenduar në rajon”.
Ndërsa, lidhur me zgjerimin e BEsë, propaganda dashakeqe e portretizon BE-në si organizatë të dobët, joefikase dhe të paaftë për të sjellë zhvillim në rajon. Narrativa të tilla amplifikojnë nacionalizmat dhe mbështesin aktorë dhe faktorë destabilizues rajonalë, ndikojnë në perceptimin e publikut, por edhe te vendet skeptike, për ecurinë e vendeve të rajonit në proceset euro-integruese.