Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se SHBA ende nuk është e kënaqur me kushtet e marrëveshjes që po negociohet me Iranin, edhe pse sipas tij Teherani është i vendosur të arrijë një akord për t’i dhënë fund konfliktit.
“Deri tani nuk kanë arritur aty ku duhet dhe ne nuk jemi të kënaqur”, tha Trump gjatë mbledhjes së kabinetit, duke paralajmëruar se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë sulmet nëse nuk arrihet marrëveshja.
Deklaratat e tij erdhën pasi televizioni shtetëror iranian publikoi detaje të një draft-marrëveshjeje, ku pretendohej se SHBA do të hiqte bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe do të tërhiqte forcat amerikane nga rajoni. Në këmbim, Irani do të rikthente lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit. Por Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “trillim të plotë”.
Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu se është i vendosur të arrijë një marrëveshje të favorshme me Iranin, duke shtuar se nuk është i interesuar për zgjedhjet e mesit të mandatit, dhe duke hedhur poshtë shqetësimet në lidhje me koston politike të luftës në vend.
“Nuk më interesojnë zgjedhjet e mesit të mandatit. Shikoni çfarë ndodhi mbrëmë, ky ishte një prelud i zgjedhjeve të mesit të mandatit. Njerëzit e kuptojnë këtë”, tha ai, duke aluduar në fitoren e kandidatit të tij të mbështetur në balotazhin të Senatit Republikan të Teksasit.
Trump mohoi gjithashtu raportimet se po shqyrtohej lehtësimi i sanksioneve ndaj Iranit apo transferimi i uraniumit të pasuruar iranian drejt Rusisë dhe Kinës.
“Jo, nuk do të ndihesha rehat”, tha ai kur u pyet për mundësinë që Moska ose Pekini të merrnin uraniumin e nivelit të një bombe bërthamore.
Presidenti i SHBA theksoi mes të tjerash edhe se mund ta refuzojë marrëveshjen me Iranin derisa një mori vendesh të Lindjes së Mesme të bien dakord t’i bashkohen kuadrit të tij të Marrëveshjeve të Abrahamit që synon normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
“Kjo do të ishte vërtet një shenjë e jashtëzakonshme dhe mendoj se ato vende na e kanë borxh këtë. Nuk jam i sigurt nëse duhet ta bëjmë marrëveshjen nëse ata nuk e nënshkruajnë, ju doni ta dini të vërtetën.”, shtoi ai.





