Roma u përfshi nga zjarret të hënën kur flakët gjigante nisën të përhapen në afërsi të një kampi veror në kryeqytetin italian, duke përfshirë dhe disa depo industriale që përmbanin veç te tjerash bombola gazi.
Të paktën 50 shpërthime u dëgjuan në zonë, sipas medieve vendase. Tridhjetë e pesë persona janë intoksikuar nga tymi pranë Aurelias, e disa familje përfshirë dhe fëmijë, janë detyruar të evakuohen. “Nuk kishin fund shpërthimet, i degjoja edhe me dritare mbyllur. Ngjante si të ishte një apokalips. Më thanë të largohesha menjëherë nga shtëpia”, rrëfeu Ettore, një banor i zonës.
Një tjetër zjarr ka prekur dy ndërtesa në Casalotti. Era e fortë ushqeu flakët e nisura nga një tufë shkarpash në një kamp rom, duke bërë që të përhapeshin me shpejtësi. E nuk mbaroi me kaq. Zyrtari i rajonit të Lazios, Alessio D’Amato foli edhe për 7 vatra të tjera: “Është një ditë shumë e vështirë”, u shpreh ai.
Për shkak të zjarreve, ka pasur deri edhe devijim të disa fluturimeve që nga aeroporti i Ciampinos, u kaluan në Fiumicino, ndërsa u shënuan edhe një sërë vonesash.





