Të paktën 46 persona janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në periferi të San Antonio, Teksas, mbrëmjen e së hënës.

Një zyrtar zjarrfikës tha për BBC se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, ishin dërguar gjithashtu në spital. Të mbijetuarit ishin të goditur nga nxehtësia dhe lodhja.

San Antonio, i cili është 250 km (150 milje) nga kufiri SHBA-Meksikan, është një rrugë kryesore tranziti për trafikantët e njerëzve.

Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente, pasi i takojnë në zona të largëta pasi të kenë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i zjarrfikësve të San Antonios, Charles Hood, tha se automjeti, i cili ishte braktisur nga drejtuesi i tij, nuk kishte ajër të kondicionuar dhe nuk kishte ujë të pijshëm brenda.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se dy guatemalanë ishin në mesin e atyre që u dërguan në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk ishte menjëherë e qartë.

Tre persona po mbahen në paraburgim dhe hetimi i është dorëzuar agjentëve federalë.

Klima e San Antonios është jashtëzakonisht e nxehtë në muajt e verës, me temperaturat atje që arritën në 39.4C të hënën.