Çdokush që puna e ka lidhur me procesin e e riparimit të anijeve në Portin e Durrësit në të paktën 5 dekadat e  fundit, nuk mund të mos ketë hasur një zonjë që vitet i rëndojnë mbi shpatulla, por energjia  vijon ta shoqërojë. Znj.Naime, e vetmja femër që aktualisht kryen procesin e kallafatimit ( zë të çarat e dërrasave të anijeve për të mos lejuar depërtimin e lagështirës/ujit brenda tyre) në Portin e  Durrësit, është çdo ditë aty, duke punuar me vegla pune që sytë na janë mësuar t’i shohim të përdoren nga gjinia mashkullore. Por kjo nuk e pengon që ta nisi ditën me energji dhe të vijojë pa u ndalur anijen që ka aktualisht në dorë për të riparuar.

Në bisedën e këtij mëngjesi 30 qershori, Naimja flet me përzemërsi dhe pasion për profesionin e saj të jetës, që e ka ndihmuar të bëhet krah në familjen e saj edhe ekonomikisht. Anija e peshkimit që ka aktualisht në dorë duke punuar, prej disa ditësh gjendet aty për t’u riparuar, ndërsa zonja jonë kujdeset që mos të humbasë vëmendjen nga puna.

“E kam filluar këtë punë në moshën 20-vjeçare, fare e re, në fillim të viteve ’70 dhe që prej asaj kohe nuk jam ndalur asnjë moment duke iu përkushtuar e sakrifikuar për të mbajtur veten e familjen me këtë profesion. Pavarësisht vështirësive dhe ndryshimit të sistemeve, di të them që kush e do punën, nuk mer parasysh nëse ky profesion është i identifikuar për meshkujt apo femrat”, tregon buzagaz ajo mes të tjerash.

E ngjitur mbi një skelë prej hekuri, me atë çekiçin që vazhdon të çukasë pa u ndalur mbi anije, Naimja, rrëfen jetën e saj në dy kohë, që qe veshur me vështirësi, por që nuk ja zbehu energjinë që e ka shoqëruar gjithë jetën e saj .

“Ju brezi ri keni patur fat me këto kohë që po jetoni, por ne pa punën nuk kemi mundur ku të shkojmë, se ndryshe vështirësitë do na kaplonin e pengonin së jetuari. Por unë e ndjej veten me fat në këtë drejtim, pasi puna në Port ka qenë gjithmonë privilegj për këdo dhe vazhdon”, vazhdon bisedën zonja me dëshirën për ta vijuar më tej bisedën por në pamundësi të vapës që po shtrëngohet mëngjesin e këtij fundqershori.

51 vite rrugëtim numëron Naimja në këtë punë dhe pavarësisht se kur e nisi këtë profesion ishte bashkë me shumë zonja të tjera në këtë profesion, sot është e vetmja duarartë që vijon traditën, duke u njohur si simbol i përkushtimit, korrektësisë dhe dashurisë për profesionin e saj të jetës.

“Kemi një anije tjetër 20 metra për të riparuar Naime”, u dëgjua një zë në anën tjetër të ish-Kantierit duke bërë që Naimja të vazhdojë nxitimthi punën, edhe sot si 51 vite që ka numëruar në këtë profesion. /Durresport.al