Ditë e rëndësishme te Interi. Klubi zikaltër përveç afrimeve që për hir të së vërtetës kanë qenë të bujshme, po punon edhe për rinovimet.
Pak më parë, nënkampionët e Italisë njoftuan se do të vijojnë bashkëpunimin me portierin Smair Handanovic deri në vitin 2023. “Gardiani” 37 vjeçar do jetë edhe për një sezon nën drejtimin e Inzaghit, por tashmë do ketë mjaft konkurrencë, pasi për një vend titullari do luftojë edhe i sapoardhuri Onana.
Lojtari i lindur në Lubjana është një nga shtylla kryesore të ekipit. Interi synon titullin kampion në edicionin që po vjen.
“Dhjetë vjet më parë iu bashkova një klubi të madh dhe ende jam në këtë klub të madh. Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam kapiten dhe lojtar i Interit sepse ky është një privilegj për mua. Ata që luajnë për Interin kanë gjithmonë shumë vullnet, këtu luhet për tituj” – tha ai pas rinovimit.





