Ekipi i drejtuar nga trajneri Renato Arapi po merr ngarkesën e duhur. Organika mbetet problem, pasi shumë lojtarë janë larguar, ndërsa ende s’ka asnjë afrim veç Hoxhës. Megjithatë, drejtuesit janë vënë në lëvizje dhe aktualisht te blutë ka disa futbollistë që po provohen.Emrat e tyre s’bëhen publikë pasi ai që do të vendosë është pikërisht Renato Arapi për të ardhmen e tyre.

Teuta ka vijuar sipas programit përgatitjet për sezonin e ri, përveç seancës stërvitore këto dy ditë janë zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, ndeshje kontrolli me lojtarët që janë në provë dhe që deri në fundjavë do të merret një vendim për ta. Trajneri Renato Arapi ka vendosur të ketë në dispozicion për këto ditë në stërvitje dhe shumë lojtarët të rinj që duan të jenë pjesë e bluve.

Teuta vijon të jetë në kërkim të lojtarëve cilësorë për sezonin e ri. Aktualisht skuadra po kryen stërvitje intensive, ndërsa pritet që deri në mbyllje të merkatos të gjenden edhe lojtarët që janë kërkesa të trajnerit Renato Arapi. Ndonëse janë afruar disa futbollistë në provë, klubi ende nuk ka filluar me prezantimet, por pritet që gjatë javës së ardhshme të nisin edhe zyrtarizimet në Durrës. 

Pritet që veçanërisht të afrohen lojtarë në mbrojtje dhe mesfushë.Ndryshe nga fazat e kaluara, kur Teuta shtegtonte jashtë vendit, këtë herë është menduar që faza përgatitore të zhvillohet në Korçë. Një gjë e tillë konfirmohet nga vetë klubi durrsak.

Duke parë kushtet e mira që ka në zonën sportive të qytetit, por edhe faktin se shumë klube kanë zgjedhur Pogradecin e Maqedoninë për të zhvilluar përgatitjet, është edhe mundësia për të zhvilluar takime miqësore në Korçë.Terrenet sportive janë perfekte, edhe klima po ashtu. Plus kësaj edhe fakti që shumë klube janë në grumbullim në juglindje mund t’i shërbejë Teutës për testet miqësore që do të caktohen në vijim. Në kushte të tilla blutë pritet që të nisin nga Korça përgatitjet me 18 korrik. Tashmë pritet vetëm të plotësohet grupi veç lojtarëve aktualë për të nisur fazën intensive në Korçë.