Nga BUJAR QESJA

Mbase rastësia, apo diçka e shkruajtur nga lart, siç i themi shpesh njeri tjetrit, kanë krijuar mundësi takimi me durrsakë të hershëm dhe të rinj, me figura të nderuara dhe të respektuara në Durrës. Kjo mundësi e cila sa vjen e masivizohet, e ndjej se më është kthyer në privilegj. Dhe këtë shans kërkoj ta ndajmë së bashku, veçanërisht me durrsakët, të cilët tashmë kanë “pushtuar” tërë rruzullin.

Ndjeshmëria bëhet më e prekur, kur vijnë e më takojnë mosha të vjetra, që janë thesar i qytetarisë durrsakë, i kulturës dhe investimit intelektual të saj. Janë emra të tillë që kanë dhënë shumë dhe nuk i bën përshtypje se nuk kanë marrë asgjë. Ato kanë bërë punën e tyre, madje më shumë se kaq. Kanë dhënë rezultate të ndjeshme, duke ia ngritur kryet durrsakëve, të cilët i duan dhe i kanë krenarinë e tyre.

Puna ime po mbahet si në presion nga këta emra të nderuar të Durrësit, të cilët kanë nevojë më shumë për mirënjohje, respekt dhe kulturë komunikimi. Sa për anë materiale, ato nuk i kanë marrë as dje dhe as sot ëka meritonin, por respektin ama e duan. Është oksigjeni i fundit i pastër që mund të thithin, në fazën finale të jetës së tyre. Dhe ai atje lart, sikur m’i ka lënë të bëj edhe disa adete, në emër të kësaj pra, të qytetarisë tonë.

I lodhur disi dhe i ngarkuar me punë si në rini, i begenis pa masë këta të vjetrit tanë. Kujtoj kohën e angazhimit të tyre dhe sukseset i kanë pjesë të jetës. Por tani u duket sikur kanë rënë nga “vakti”, pasi e ndjejnë se nuk u jepet respekti i dikurshëm. Kjo i bën të ngashërejnë në shpirt, i përvëlon zemrën, ia zbeh sadopak optimizmin.

Nuk ka nevojë të ma thotë asnjë këtë, pasi e has në përditshëmrinë time. Historia e jonë e kohëve moderne, nuk lindi sot dhe as u krjiua me këtë brez. Ne jemi vazhdues dhe nuk e fshehim krenarinë për atë brez që na mësoi si të flisnim, por edhe si të ecnim apo të vraponim. Dhe njëri prej tyre, është edhe gjakovari i urtë dhe fisnik Iliaz Elezi. Ishim takuar së bashku në dimërin e vitit 2020 dhe i kushtova një shkrim, ku nderohej dhe vlerësohej puna e tij e jashtëzakonshme me atletikën durrsake.

Dy vite që kishin kaluar pas kësaj, ia kishin mpakur fizikun, ia kishin zbehur freskinë, por energjitë, moralin, sjelljen model i komunikimit, kjo pleqëri që e ka zënë nuk ka për t’ia lëkundur asnjëherë. Ditëlindja e tij është 1 shkurt 1930. Rruga sportive filloi herët, më parë si atlet dhe më pas si trajner. Iliaz Elezi është ndër ata njerëz, që i dha nder atletikës së Durrësit.

Atletika si mbretëreshë e sporteve mbeti violinë e parë, pasi u ushqye me mjeshtrinë e mbretërve të tillë si Iliaz Elezi, që nuk i heq nga goja idhujt të tillë si Idriz Çinari, Rruf Kazazi, Bashkim Taga, Shefqet Ferri, Andrea Stasi, Frederik Gjergo, Esat Kryeziu, Aleks Leka, Eqerem Bylykbashi, Petrit Kërtusha, Enver Mysja, Çeljeta Maçi, Emin Kosturi, Musa Musai, Kujtim Manjani e plot të tjerë.

Ishte Iliaz Elezi, që duke e nisur punën nga pista e improvizuar dhe natyrore e parkut sportiv “Nako Spiru”, e përfunduar tek pista 400 metroshe e stadiumit “Niko Dovana”, që dha shembullin e një kuadri të përsosur, që ia vlen ta kujtosh si tani, por edhe më tej është në historinë e tij më të mirë.

-Erdha të takoj. Kam mall. Kur vij tek ty, sikur rrëfehem dhe hallet sikur më zbuten. Të kemi djalin tonë dhe e dimë që nuk na harron. Kam kohë që nuk jam dukur, pasi skam qenë këtu.

Këto fjalë më tha, Iliazi i madh i atletikës durrsake. Të gjithë kolegët e tij të dikurshëm nuk jetojnë. Ai i kujton duke lotuar. Por diçka nuk shkonte në trupin e tij. Lëvizja e zakonshme kishte rënë, por mbahej. Bastuni i tij, më dukej magjik duke ngjasur me shkopin e dirigjentit, në drejtimin e orkestrës gjigande të jetës. Ka kaluar jo pak ky Iliaz Elez dhe nuk dua t’ia ngacmoj plagët që nuk do t’i mbyllen asnjëherë.

Edhe në foton që bëra me të, po ta vrojtoni me kujdes, këmba e djathtë është vendosur mbi një këpucë atlete dhe rrethuar me një kordon.

-Çfarë ka ndodhur profesor?

Hodhi vështrimin drejt pjesës së poshtëme të këmbës, tek shputa.

-I kam prerë tri gishta, pasi është krijuar problem me qarkullimin e gjakut. Kam vetëm dy gishtat e vegjël. Nuk e di, se si do të shkoj kjo punë.

Nuk doja ta lëndoja më shumë. E përqafova profesorin tim të atletikës, këtë gjakovar madhështor dhe i dhashë kurajo.

Iliaz Elezi nuk ka për t’u rrëzuar. Ky lis gjigand i atletikës, ka bekimin e njerëzve dhe do të kompesojë me jetë edhe miqtë e tij të larguar prej kohësh nga ne. Është me rrënjë të forta dhe do ta kemi si ujët e pakët, për të na shuar etjen e mallit për breza që bënë historinë më të mirë dhe më të bukur të sporteve të Durrësit.

-Do të vi përsëri të të takoj. Kjo na ka mbetur, të mos heqim dorë nga njëri tjetri. Të mos shkëputemi. Brezi ynë i ka të shenjta ruajtjen e miqësisë, si dhe të kujtimeve për atë punë jo të vogël që kemi kryer.

Iliaz Elezi! Një kolos i atletikës. Staticien i mirfilltë, duke shkruar me kujdes dhe pa u mërzitur historinë e atletikës durrsake. Dhe brenda saj, është edhe historia e madhe e punës së jashtëzakonshme, që ka kryer edhe Iliaz Elezi.

-Të pres profesor!