Pas 24 orësh pushim, ekipi i Teutës është grumbulluar dje në Durrës, ku ka rinisur përgatitjet për sezonin e ri në Kategorisë Superiore. Teuta pritet të qëndrojë deri më datën 17 korrik në Durrës e më pas do të udhëtojnë drejt Korçës për fazën përgatitore, ku do të programohen edhe disa takime miqësore.
Sa i përket pjesës së merkatos, Teuta mbetet në vendnumëro, teksa deri tani është bashkuar me ekipin vetëm mesfushori shkodran, Uehid Hoxha, ndërkohë që ende nuk ka gjë të saktë për sa u përket lojtarëve të tjerë që do të bashkohen në stërvitje me blutë. E vetmja lëvizje e deritanishme, edhe zyrtare, është konfirmimi i stafit teknik. Pra, dyshja Arapi-Hodo do të drejtojnë Teutën edhe sezonin e ardhshëm.
Nga sa është lënë të kuptohet në deklarimet e stafit teknik, pothuajse i gjithë grupi i futbollistëve titullarë që janë nën kontratë me Teutën, do të vazhdojnë me ekipin blu. Nga ekipi janë larguar gjithsej 10 lojtarë deri tani dhe afrimet në këtë merkato janë më se të domosdoshme.
Aktualisht, bregdetarët po punojnë për afrimin e disa lojtarëve, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Në këtë sezon prioritet për “Djemtë e detit” është mbrojtja, pasi në sezonin e kaluar skuadra vuajti shumë në këtë repart, ku pësoi 44 gola në total. Shumë emra po diskutohen nga stafi i ri teknik, i cili po ndjek futbollistë të ndryshëm, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Lajmi i mirë është që ka opsione zgjedhjeje, prandaj stafi teknik nuk kërkon të nxitohet për të bërë gabime, duke ditur se kampionati fillon në mesin e muajit gusht.