Nga Aleksandër Cangonja

Kohët e fundit po flitet së tepërmi për një projekt të financuar nga një Fondacion Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili do te marrë përsipër “kthimin e dinjitetit” për të cilën Durrësi ka vuajtur në këto 30 vite ekonomi tregu dhe plurarizëm politik. E gjitha kjo histori e cila nuk ka filluar akoma të ziejë mirë, nisi që mbas tërmetit të 2019, ku u pa nevoja për ndërhyrjen dhe mirëmbajtjen e parqeve arkeologjike të qytetit të Durrësit.

Natyrisht kjo është një gjë e mirë e cila do na ndihmonte të ruanim akoma më mirë thesaret tona të trashëgimis kulturore, por koha dhe eksperiencat e tjera kanë treguar që për bërjen e veprave të mëdha në kushtet kur shteti është i dobët ekonomikisht ajo ndodh në dy momente ose diktaturë ose në një aferë korruptive.

Gjithsesi le të kthehemi tek periudha e diktaturës, kur “shoku” Enver jepte urdhër për diçka dhe ajo bëhej pa u menduar mire, natyrisht në kurriz të palës së prekur. Të kuptohemi qartë që në diktaturë nuk zbatoheshin të drejtat e njëriut dhe prona private nuk ekzistonte, shteti për çdo plan apo ndërhyrje që bënte e kishte të garantuar 100% vijueshmërinë e projektit.

Sot më ra në dorë një dokument, në te cilin jepeshin disa detyra për punonjësit e muzeumit arkeologjik të Durrësit, ndër to ishte dhe sistemimi i gjetjeve të reja në amfiteatër apo dhe sistemimi i objekteve në muzeun arkeologjik, ndërtimi i portikut i cili u hoq nga xhamia e Kavajës etj. Këto detyra dhe porosi u vendosën në një mbledhje të bërë nga Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durrësit  “shokut” Rita Marko në datë 2 mars 1970 ku të pranishëm ishin dhe Bajram Thërmija si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit (Bashkia sot), Feruz Mataj si Drejtor i Portit të Durrësit, Llazar Ziu si Drejtor i Pallatit të Kulturës, Vangjel Toçi si arkeologj dhe drejtor i Muzeut Arkeologjik dhe Robert Semini si inxhinier.

Më poshtë detyrat që u nxorrën nga kjo mbledhje për punonjësit e muzeut:

DISA DETYRA PËR MUZEUMIN

“-Brënda 2-3 ditëve të rregullohet hyrja e shkallës zbuluar rishtazi në amfiteatër.

-Të grumbullohen dhe të sistemohen të gjitha fotografitë që ka muzeumi simbas sektorëve dhe natyrës së punës në albume përkatëse. Brënda datës 7.III.1970.

-Të pregatitet harta e nëndheshme e Durrësit (3kopje) me shkallën 2:500.000 ku të shënohen të gjitha zbulimet në qytet. Brënda datës 8-9.III.1970. Gjithashtu të punohet për pregatitjen e hartës me prespektivë.

-Të pregatitet nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit dhe ti dërgohet qeverisë brënda datës 6-7.III.1970, një raport lidhur me zbulimet në anfiteatër, puna që është bërë, çfarë do të bëhet në të ardhmen dhe çfarë baze materiale teknike duhet? Raporti duhet të jetë i ilustruar me skica e harta. Për këtë të vihet në dijeni dhe institute historisë.

-Të kërkohet të vijë nga qëndra një ekspeditë për të parë zbulimet dhe për të ndihmuar për punën në të ardhmen. Për këtë të thuhet dhe në raportin që do ti dërgohet qeverisës.

-Të mendohet dhe të punohet konkretisht për rregullimin e muzeve në qytet, sistemimin dhe disa prej tyre të mbulohen me xhama të forte, ku mund të kalojë dhe maqina mbi të, të vendosen dritst që të duken dhe natën.

-Të mendohet për riparimin dhe rikonstruksionin e të gjithë muzeut arkjollogjik.

-Në hyrjen e re të zbuluar rishtazi të amfiteatrit të vazhdojë puna.

-Të fotografohen punët dhe zbulimet në amfiteatër brënda datës 7.III.1970.

Të mirëmbajnë materialet e zbuluara, objektet. Çdo gjë të jetë në rregull. Asgjë të mos dëmtohet. Gjërat e tepërta të kyçen dhe të ruhen mire.

-Të ndiqet për ndërtimin e portikut.

Të sistemohet në vendet e duhura të gjitha materialet që janë rrotull muzeumit.

Të gjitha objektet e zbuluara që ka muzeumi nëpër qytet të jenë të rregulluara, të sistemuara dhe të pastërta.

Këto detyra u përcaktuan në një mbledhje datë 2.III.1970 ku ishte Sh. Rita, Bajram Thërmia, Feruz Mataj, Llazar Ziu, Vangjel Toçi, Robert Semini.”

Pra një pjesë e mirë e detyrave të lëna në mbledhje për të mos thënë të gjitha u kryen nga punonjësit e muzeut arkeologjik. Amfiteatri dhe shume vepra të tjerat të cilat sot qytetarët dhe turistët nga vende të ndryshme të botës i vizitojnë çdo stinë të vitit janë të zbuluara në periudhën e diktaturës, ku arkeologët tanë apasionantë me në krye Vangjel Toçin dhe një batalion vullnetarësh vinin dhe kontribuonin me hir apo pa hir për zbulimin e këtyre veprave. Tek arkeologët si Vangjel Toçi shihej idealizmi dhe respekti që kishte për profesionin që bënin, për më tepër kur kolegët e tyre në perëndim vlerësoheshin monetarisht shumë herë më shumë se në Shqipëri, por sistemi i tillë ishte dhe profesionistëve përveç idealizmit nuk i ngelej gjë tjetër.

Referencë:

Aqsh, F. 375, D. 2-267