Presidenti i vendit, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin emisionin “Aktualitet” të gazetarit Bejdo Malo në Televizionin “Fax News” deklaroi se sigurua kombëtare po cënohet seriozisht.

Sipas tij, në një kohë që po afrojnë zgjedhjet parlamentare, në vend po rriten sipërfaqet me kanabis dhe aktivitetet e grupeve kriminale.

Pyetje: Sipas Zërit të Amerikës, apo sipas statistikave të Bashkimit Europian, Italia, ka kryer mbi 1970 orë fluturime në territorin Shqiptar. Për çudi janë 1970 parcela dhe mbi 25 % më shumë sesa vitet e kaluara me bimë narkotike, edhe pse kishim një ministër Gjeneral.

Presidenti Meta: Fakti që jemi në një vit elektoral, është për të mos kërkuar edhe shumë angazhim në këtë drejtim. Dihet se sa herë ka pasur periudha elektorale janë rritur sipërfaqet e kultivuara me lëndë narkotike. Por, janë rritur dhe aktivitet e tjera të grupeve kriminale për fat të keq.

Ky konstatim, që erdhi edhe nga Organizata së Kombeve të Bashkuara, që cilëson Shqipërinë si burim kryesor në Europë, për kanabisin edhe për trafiqet, janë të përsëritura tashmë, janë solide dhe kuptohet është mungesa totale e vullnetit politik, për t’i luftuar këto fenomene.
Dhe, akoma më keq është loja politike, për t’i përdorur aktivitete të tilla kriminale në interes të deformimit të proceseve zgjedhore, apo të favoreve, për të tërhequr këto grupe në përpjekjen për të mbajtur me pahir pushtetin.

Pyetje: Po ta shikosh kur themi partia në pushtet gjithmonë kemi parasysh Partinë Socialiste, por i gjithë ky shtim rrënjësh kanabisi është shoqëruar edhe me një zinxhir vrasjesh. Madje vrasjet janë aq të lidhura me njëra tjetrën, janë aq seriale, sa ne trembemi si qytetar. A është cenuar siguria?

Presidenti Meta: Pa asnjë dyshim që siguria kombëtare është cenuar seriozisht. Sa më shumë të rriten fenomenet kriminale, sa më shumë të rritet fenomeni i pastrimit të parave, sa më shumë të minohet klima e konkurrencës dhe e demotivimit të atyre që bëjnë biznes të ndershëm e të shëndetshëm, aq edhe më shumë probleme do ketë edhe me sigurinë kombëtare.

Po edhe për sa i takon ekonomisë kombëtare, pasi kuptohet në një situatë të tillë demotivohen të gjithë investitorët seriozë vendas, apo të huaj.

Natyrisht që ky është një inkurajim vetëm për grupimet kriminale, të cilat kërkojnë të dominojnë në çdo aspekt, në tregëti, në ndërtime, në çdo investim.
Në këtë mënyrë shohim se si rriten kostot e qytetarëve, rriten çmimet edhe të ndërtimeve edhe të gjithçkaje tjetër.

Kuptohet, kjo i kthen të gjitha bizneset në nënkontraktor të nënkontraktorëve. Pra, të gjithë punojnë për shumë pak njerëz.