Teuta ka filluar prej 4 korrikut përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2022-‘23. Blutë nën drejtimin e Renato Arapit kanë ndryshuar pamje nga sezoni i fundit. Kjo për shkak se tentohet rikthimi te sukseset, pas dështimit për arritje edicionin e shkuar.Ajo që bie në sy te lista aktuale e lojtarëve të Teutës është se 2-3 lojtarë janë mbi 29 vjeç.

Kështu, Arapi ka vendosur deri tani që ekipi i ri të ndërtohet pa veteranë, që Teuta i mbante në gjirin e saj.

Me kalimin e ditëve, skuadra e Teutës po e rrit dozën e ngarkesave në përgatitje, pasi gjatë paradites së djeshme ka kryer një seancë stërvitore pa top me ushtrime fizike, ndërsa pasdite ka zbritur në fushë me anën tekniko-taktike.

Ana fizike duket të jetë shumë thelbësore për tekniku Arapi, i cili kërkon që në startin e kampionatit të jenë të gatshëm në këtë aspekt dhe skuadra të mos çalojë të paktën nga kjo anë.

Sakaq, i vetmi që nuk i është bashkuar ende grupit të lojtarëve është mbrojtësi Xhekson, i cili vuan ende nga një dëmtim në këmbë në sezonin e kaluar dhe i është lënë më shumë ditë në dispozicion për të pushuar dhe për t’u riaftësuar plotësisht.

Java e parë e përgatitjeve i ka shërbyer të gjithë skuadrës për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin, pasi shumë pak futbollistë kanë mbetur nga sezoni i kaluar.

Arapi ka tentuar manovra të ndryshme gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar brenda grupit, duke shpresuar që të gjejë edhe atë ekuilibrin ideal në skuadër.

Në fakt, dilemat e tij në këtë Teutë nuk janë të shumta sa u përket titullarëve që ka projektuar për në fushë, sepse edhe alternativat i mungojnë.

Për momentin është duke qartësuar edhe modulin me të cilin do të prezantohet këtë sezon në kampionat, në mënyrë që të hedhë në fushë edhe lojtarët që mund t’i shërbejnë më mirë.

Tekniku është në mëdyshje sa i përket një skeme 4- 3-3 apo 4-2-3-1, duke parë edhe karakteristikat e lojtarëve që ka në dispozicion te Teuta.

Gjatë përgatitjeve të kësaj jave janë provuar të dyja modulet, por është ende herët për të dalë në konkluzion.

Nga ana tjetër, duket se e gjithë loja do ta bazohet te këmbët e L. Beqja e Vilës, të cilët do të kenë detyrën që të shtyjë skuadrën përpara dhe të nisin aksionet sulmuese për të shënuar.

Këtë javë Teuta ka menduar që të luajë edhe një ndeshje miqësore, por pa e specifikuar ende se me kë skuadër.

Ky takim do t’i shërbejë trajnerit për të parë nga afër edhe gjendjen e disa të rinjve, të cilët mendohet të afrohen në ekipin e parë, edhe si politikë e klubit për t’u dhënë mundësinë të tregojnë veten e tyre.

Para se të nisen drejt Korçës për fazën përgatitore, më herët do të bëhen disa seleksionime nga përgatitjet në Shqipëri.