Nga BUJAR QESJA

Zanat me siklete ky i yni. Na duhet të depërtojmë aq shumë në tematikat që zgjedhim për trajtim, saqë të justifikojmë qëllimin. Sfidë janë personazhet e shkrimeve tona për jetën e tyre, sfidë janë edhe për ne, nga mënyra se si do ti çfaqim në publik. E di se e kam shumë të vështirë të trajtoj ja kështu, materialin e ngarkuar për një emër shumë të njohur, të cilin me të drejtë e kam quajtur peshë e rëndë e Durrësit. A do të mundet që arti im i të shkruajturit, t’i ofrohet sadopak punës titanike, performancës që meriton gjithnjë e më tej të studiohet, të këtij titullari të inteligjencës durrsake, të këtij masoviku e angazhuesi të madh të punëtorisë së mrekullueshme tonën, këtij njeriu shumëplanësh ku çfaqet më të njëjtin kostum në shumë fusha, në shumë drejtime?

Përpjekjen padyshim do ta bëj, e t’i lexues bëje vetë vlerësimin. Dhe kjo peshë e rëndë quhet Hysni Çyrbja. Kam prekur shumë opinione për të. Kam tentuar të thithë mendime, që sigurisht thuhen për të. Dhe të gjitha puqen në një pikë: njeriu i mirë, i urti, i mënçuri, punëtori, masoviku, i gjithanëshmi, novatori, i gjindëshmi, sakrifikuesi, zemërbuti, zemërmadhi, zemërndjeshmi, i duruari, i fituari, mirënjohësi, i respektuari, studiuesi, paraprijësi, babaxhani, fjalëpaku e surprizuesi në mendime e gjykime, e mund të vazhdojmë edhe më gjatë me epitete që nuk mbarojnë. Dhe bashkimi i të gjitha këtyre cilësive, vjen e kulmon si një piramidë gjigande, me emrin nderues për shoqërinë durrsake Hysni Çyrbja.

Shok i babës thotë njeri. Miku i punëtorëve, thotë tjetri. Është ai që jo në pak raste ka rrezikuar edhe veten, për të bërë një nder, për të bërë një të mirë, për t’u përpjekur si ai që njerëzit të mos zhgënjehen. Emërin dhe mbiemrin e tij, e kishte vënë peng të atyre që u takonte për ti shërbyer. Dhe këtë e kishte moto të jetës, e kishte bast me veten. E kishte gjithçka që i takonte të bënte.

Kur thua Hysni Çyrbja, është e mira dhe e bukura brenda. Është ajo bota e madhe dhe fisnike, që lëviz nga një zemër po e tillë e madhe, që gjeneron energji të pafund, për të zbutur pafundësinë e halleve të njerëzve. Lindi nga një familje e thjeshtë punëtorësh. Ishte djali i Jonuzit dhe Lemes. Një familje me 11-të fëmijë, pesë vëllezër e gjashtë motra. Fisi i Çyrbjeve është i madh, shumë i madh. Vendndodhja e tyre Sallmone, apo thënë me zhargonin lokal “Katër Rrugët e Shijakut”. Një janë Çyrbjet, por rritja e fëmijve dhe martesat e tyre i kanë shtuar shumë. Por janë fis i mirë, fis i ëmbël, fis me ytibar.

Çyrbje, është zgjatimi i majës së rrënjës së misrit, apo thënë më troç që duken si antena. Është një fis i hershëm dhe nuk ka ndonjë informacion, për të përcaktuar domethënien e këtij mbiemri shumë të njohur. Dhe Hysni Çyrbja, mbajti ndezur tërë kohën antenat e mirësisë, për të kapur dhe prekur dashamirësinë dhe respektin e një populli të tërë. Mbaroi për ekonomi. Lapsit të mprehtë të ekonomistit, iu bashkngjit logjika e ftohtë dhe praktike i një njeriu, që kishte lindur për të zgjidhur halle dhe derte, për të dëgjuar të aftët, të thjeshtët, punëtorët dhe për t’u vënë balli i tyre. Këtu janë krijuar edhe ato lloj sfidash, që u ngjitën në nivele të rrezikshme të cilat sistemi i djeshëm i prodhonte me shumicë. Do të jap vetëm një argument për këtë.

Mënçuria e Hysniut për dramën e Bilal Xhaferrit

Jo rrallë pëshpëritet një thënie perverse: “bëj mirë, që të gjesh keq”. Të mirën e bëri Hysni Çyrbja, e të keqen e dhimbshme, pse jo edhe fatale do ta gjente tek “gjarpërinjtë” e kohës. Kemi mundur të kemi një dorëshkrim të Hysni Çyrbjes, që ka treguar me hollësi një prej ngjarjeve më delikate, që desh ia përmbysi gjithçka të mirë që kishte bërë në këtë jetë. Hysniu është i 6 marsit 1925 dhe i bie të ketë qenë në vitin 1968, 43 vjeç. Ishte drejtor i Parkut Automobilistik të Mallrave. Kudo që ka qenë, suksesi i ka ardhur nga pas këtij ekonomisti klasi, këtij drejtuesi të lindur. Ishte i përditshëm në bibliotekën e qytetit dhe në atë vit drejtor ishte Pertef Kruja, një tjetër e mirë që durrsakët ishin me fat që e kishin.

Pertef Kruja mezi po e priste. Kishte diçka të ngutshme për t’i thënë Hysni Çyrbjes. Dhe sapo e pa, reagoi me shpejtësi:

-Të ka dalë nami, si përkrahës i njerëzve të kulturës e të artit. Ky shok që e shikoni tani këtu, ka nevojë për ndihmën tuaj. Është fjala për një talent që kërkon punë. Është në hall. Nuk ka pretendime, veç të punojë e fryma mos ti ndal. Quhet Bilal Xhaferri.

Hysni Çyrbja që është vlerësuar si “Lexues i Shekullit” nga biblioteka publike e qytetit, ishte shumë i ndjeshëm ndaj letërsisë. Është hob i tij letërsia. Ka lexuar aq shumë sa nuk mendohet. Biblioteka e tij e madhe, ishte e pamjaftueshme ndaj shpejtësisë që kishte treni i pasionit ndaj librit. Hysni Çyrbja e kishte devizë thënien e njohur të Desiderius Erasmus :

“Kur kam pak para blej libra; dhe kur më tepron ndonjë gjë prej tyre, blej ushqim dhe veshje”.

-Çfarë pune mund të bësh, në Parkun Automobilistik të Mallrave ku drejtoj punët?

Kjo ishte pyetja e Hysni Çyrbjes.

Dhe përgjigja e Bilal Xhaferrit 33 vjeçar, ishte kjo:

-Unë di vetëm të shtroj rrugët me asfalt, pasi kam punuar në kantjere që mirmbajnë rrugët dhe urat.

Për ti dhënë mundësitë që meritonte dhe pasi u njoh brenda natës me krijimtarinë e deriatëhershme të Bilal Xhaferrit, Hysni Çyrbja krejtësisht në pozita humane dhe inkurajuese për një krijues, e cakton dispeçer, për ti dhënë mundësi të udhëtonte me mjetet e parkut, në kërkim të temave që i ngacmonin krijimtarinë.

Hysniu i shikonte njerëzit në tërë kompleksin e tyre, me hallet dhe sikletet që kishin dhe dinte ku të bënte ndonjë lëshim, për t’ia zbutur sadopak vështirësitë. Kështu ndodhi edhe me Bilal Xhaferrin. Por drama po ofronte. Shkrimtarit që më pas u bë i famshëm, iu rezervua fati më i keq dhe Hysni Çyrbjes hijenat e kohës, po gatiteshin ti hidhnin lakun e së keqes.

Pasi kthehet nga diskutimi i romanit “Dasma” të Kadaresë, ku kishte marrë një ftesë nga lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, Bilali vjen në Park i terrorizuar. Hysniu i shqetësuar e pyet:

-Si e çove dje në Tiranë?

-E kritikova romanin “Dasma”. Ismaili nuk foli fare, por i deleguari Fadil Paçrami më tha se: ti je bir armiku.

Filluan telefonatat. Rita Marko, sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Durrës dha urdhër të mblidhet kolektivi i Parkut. Bilal Xhaferri pushohet nga puna dhe Hysni Çyrbja kritikohet rëndë për zbutjen e vigjilencës ndaj armikut të klasës. Të nesërmen thërritet në Byronë e Partisë dhe flitej për ndëshkime shumë të rënda. Por mënçuria, qetësia dhe forca argumentuese, e shpëtuan nga një plan ogurzi dhe i paramenduar.

-Librat që ka botuar Bilal Xhaferri, bashkëpunimet në revista dhe gazeta, të qënurit Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ua tha hapur Hasniu në këtë mbledhje, a janë në vartësi të Komitetit Qendror? Për mua këto fakte qenë të mjaftueshme, pasi bëhej fjalë për një krijues të njohur dhe pranuar nga udhëheqja e Partisë. Veç kësaj orjentim tjetër është edhe mos lënie pa punë e çdo njeriu, qoftë edhe ato të ndëshkuar nga drejtësia.

Këto argumenta dhe kjo kurajo, e shpëtuan Hysni Çyrbjen nga një tmerr që i ishte përgatitur. E vendosëm këtë fakt, për të ilustruar me dhjetra e dhjetra dukuri të tilla, ku kuadro të nivelit ekselencë si Hysni Çyrbja kalonin nëpër pusi të tilla, të vendosur nga vetë udhëheqësia partiake.

Tre shtylla jetike të Hysniut: detyrat, njerëzit dhe prirjet e veçanta

Hysni Çyrbja është figurë e prekshme dhe peshë e rëndë e Durrësit. Ai nuk ka nevojë të ngrihet lart dhe ti jepen merita, sepse kështu kërkon të shkruajë një gazetari si unë. Lajkat, hiperbolizimet, superlativat, gjykimet delirante të portretit të tij, ia prishin rehatinë Hysni Çyrbjes teksa jeton parajsën e tij të paqtë. Vështirësia e jonë qendron nëse, i ofrohemi sadopak cilësive të tij të rralla, të kristalizuara në bashkejtesën me durrsakët.

Prirem nga mendimi dhe sigurisht edhe nga gjykimi, se puna dhe jeta e Hysni Çyrbjes përcaktohet në tri shtylla kryesore.

Detyrat që ka kryer. E nisi si drejtor në Kampin e Punëtorëve në plazh, vazhdon me referent i kulturës në rrethin e Durrësit, drejtor i Kursit të Peshkimit, drejtor i Albimpeksit, drejtor i Parkut Automobilistik të Mallrave, Drejtor i Ndërmarrjes së Grumbullimit, drejtor i Kantjetrit Detar, ekonomist në Fabrikën e Duhan Cigareve “Telat Noga” dhe në Ndërmarrjen Ushqimore.

Kapitull tjetër, ku është rrënjosur përjetësisht ajo çka dha në të gjallë Hysni Çyrbja, është shoqëria e pafund që kishte. Nuk e ndante shoqërinë në të rëndësishëm dhe jo të tillë, në të bardhë e në të zinj, në të kamur dhe të varfër, njerëz me pozitë dhe punëtorë, në të gjatë dhe në të shkurtër, në ato që dinin dhe në ato më pak se kështu. Hysni Çyrbja mbetet masovik i përkryerjes qytetare, duke fituar zemrat e seicilit. Ishin dhe mbetën pjesë aktive e miqësisë së tij Xhafer Qesja, Ruzhdi Rraklli, Emin dhe Naim Haznedari, Halit Mara, Moikom Zeqo, Fatmir Minguli, Nikolin Xhoja, Shpend Topollaj, Nazmi Berdaku, Bon Kadiu, Rexhep Keçi, Kadri Peku, Rifat Dimni, Rifat Meçja, Haki Kokomani, Fiqiri dhe Agim Këlliçi, Minush Jero, Sul Gallaj, Haki Bllaca, Mirush Kabashi, Haxhi Rama, Muhamed Laknori, Esat Ypi e shumë, e shumë të tjerë.

Në shtëpinë e Hysniut diskutohej për artin, për pikturën, për zhvillimet dhe ecurinë e kulturës së Durrësit. Artistë dhe shkrimtarë të njohur pinin atë kafenë e artë, ku rryfitnin së bashku me të edhe bukurinë shpirtërore, dashurinë e pakufi që kishte ky burrë me peshë për Durrësin dhe banorët e tij. Vinin njerëz me mjekërr, ndër to edhe Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Rruzhdi Rraklli, Hasan Ulqini etj. Por vinte edhe Prof.Dr. Esat Ypi, Muhamed Laknori e emra të tjerë të njohur, titullarë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

E ndërsa në punë asnjë nuk ishte i humbur me Hysni Çyrbjen, ky zotëri i rrallë, i nismave dhe angazhimeve delikate, të vështira por gjithnjë duke ia dalë mbanë. Punëtorët linin kokën për Hysniun, këtë mbrojtës të flaktë të tyre. Natë e ditë pranë njëri tjetrit, në ngarkesa pune, në novacione dhe eksperimentime, veçanërisht kur u ndodh pranë kolektivit historik të Kantjerit Detar, ku punonte palca e kolosëve të mekanikës detare.

Në mes të njerëzve kënaqej, me punën gëzohej, me pasionet këndonte me shpirt. Hysni Çyrbja me parë se të ishte lexues i rregullt, demostronte moton: “Sa shumë libra, sa pak kohë”. Ishte krijues, duke shkruar në prozë tregime e rrëfenja të ndryshme, të botuara në shtypin e kohës. Mbeti enciklopedi aktive e njohurive të thella për çdo gjë, duke demostruar një kulturë dhe nivel komunikimi që ta bënte qejfin. Jo pak kishte prirje edhe për pikturë. Në shtëpinë e të birit Gëzim Çyrbjes, janë të ruajtura me dhjetra punime të piktorit me shije Hysni Çyrbja. Studius, kritik letrar, oponent me shfaqje të teatrit dhe estradës, argumentues dhe hulumtues i gjinive të ndryshme krijuese, duke çfaqur origjinalitetin e tij të rrallë dhe befasues.

Në punë kuadro si ai, guximi dhe profesionisti si ai, përçues dhe mbështetës i të resë si ai, debatuesi dhe komentuesi i të rejave në shkencë dhe në organzimin dhe metodologjinë e punës si ai, mbështetësi me shumë fanatizëm i njerëzve që guxonin për më të mirën, për më të bukurën si ai, janë një krenari me vete, që ia rrisin treguesit e florinjtë këtij intelektuali të rrallë, kuadri me virtyte mahnitëse, duke shpërndarë sigurinë e një brezi të aftë për të marrë përgjegjësi.

Mënyra se si punonte, pasioni që demostronte, dashuria për njerëzit dhe veçanërisht punëtorët dhe bashkëpunëtorët dhe kolegët e punës, deomos krijonin oponencë plot finesë e mjeshtri ndaj dogmave dhe tabuve të sistemit. Ai dinte te reagonte për gjëra që nuk vlenin dhe merrte kosto jo fort të vogël ndaj kësaj. Hysni Çyrbja është ajo mburrje, që na i nxit të gjithëve krenarinë, që e njihnim dhe meritonim pse jo edhe shërbimet e tij. Njerëzit me nivel dhe akumulim të veçantë kulturor dhe psikologjik si Hysni Çyrbja, gjithnjë do të merrnin një rrisk mbi vete. Bindja i bënte të aftë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Dhe ndër shumë rreziqe të kaluara, e ilustrova me atë që ndodhi me desidentin e njohur Bilal Xhaferri.

Fëmijët e Hysni Çyrbes, janë kapitull tjetër i artë i jetës së tij, ku ai nuk ndante asnjërin prej tyre. Maksimi, Edmondi dhe Gëzim Çyrbja, Arben Kapxhiu dhe Valentina Dollaku janë pjesë e njëri tjetrit, duke qenë në trungun e krijuesit të tyre Hysni Çyrbja. Sherife Lenica, gruaja që e shoqëroi deri në fund dhe djali i pleqërisë Gëzimi, janë binomi ndër më aktivët i epilogut të jetës, duke ia rritur vlerat e një prindi dhe bashkshorti shembullor.

Gëzimi e përfaqëson në kulturë dhe edukatë, në urtësi dhe komunikim, babain e tij të paharruar, Hysniun tonë të përmallshëm. Djali i Gëzimit Jurgeni, pasi mbaroi për elektronikë punon në Angli, ndërsa vajza Lorena mbron masterin për ekonomi në Francë. Nevila, e shoqja është nga fisi i njohur i Zazave. Kësisoj familja e Gëzimit, është vazhduesja e asaj ç’ka ndërtoi Hysni Çyrbja, duke u veshur me një autoritet të rrallë nga ai, por edhe duke i dhënë atij, përmasat e një respekti dhe mirënjohje, pse jo edhe të përjetësisë së merituar.

Vështroj shumë foto, historia e gjallë e një jete aktive, në udhëheqje dhe së bashku me njerëzit e punës, të krijimtarisë dhe shkencës, duke bashkëpunuar, mirkuptuar dhe krijuar bindje të reciprocitetit dhe marrdhënieve të sinqerta, mbi bazën e të cilave qendronte emri i mirë, puna efektive dhe e suksesëshme.

Në dëborë ku shoferët transportin trupa për ekonominë, në det ku eksperimentoheshin anijet shumtonëshe, fryt e heroizmit të punëtorisë tonë, ku grumbulloheshin dhe përpunoheshin drithërat do ta gjeje Hysni Çyrbjen, kë të intelektual dhe kuadër të rrallë. Dita të mbushura me punë, me frymëzim, me dashuri dhe përkushtim, duke lënë pas dritën e një burri të madh, që ndriçon jo vetëm portretin e tij, por edhe tëbrezit që dhanë atë që kishin, pa marrë atë që meritonin.

Sukseset jo të vogla të arritura, por edhe sfidat jo të pakta të kaluara, ku zemra të rrihte me fuqi të pazakontë dhe ku rreziqet të kërcënonin ekzistencën, e dëmtuan gradualisht shëndetin e Hysniut. Vuajti goxha në fund jetë, derisa me 4 korrik të vitit 2006, mbylli sytë për gjithnjë.

Por nuk u mbyllën dhe nuk do të mbyllën kurrë sytë tanë, për birin e shtrenjtë të Durrësit, për peshën e rëndë të tij, për identitetin dhe qytetarinë tonë, që me aq këmbëngulje dhe me një autoritet të rrallë e ruajti dhe e mbrojti deri në fund Hysni Çyrbja.