Princ William dhe dukesha e Kembrixhit, Kate janë akuzuar se padashur kanë thyer rregullat anti-Covid pas takimit me Princin Edward dhe familjen e tij në Sandringham.

William dhe Kate, së bashku me fëmijët e tyre Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, thuhet se janë bërë bashkë me xhaxhain e princit, gruan e tij Sophie dhe fëmijët e tyre Lady Louise Windsor dhe James Viscount Severn.

Familjet kanë dalë për një shëtitje në një pyll Krishtlindjesh, në rezidencën e Mbretëreshës në Norfolk, të dielën në mbrëmje. Të dyja familjet mbërritën veçmas, pa pasur për qëllim të grumbulloheshin, por u takuan dhe biseduan, duke u bërë një grup prej 9 vetash, megjithëse u munduan të mbanin distancë.

Rezidenca Norfolk përfshihet në zonën e rregullave të nivelit të dytë, që do të thotë se vetëm gjashtë persona – përfshirë fëmijët – mund të takohen në ambiente të jashtme nëse nuk janë nga e njëjta familje.

Një person që ndodhej në pyll arriti të siguronte fotot e tyre me telefon dhe tha për Daily Mail se i kishte parë familjet bashkë disa herë. Një nga ato fotografi tregon qartë teksa ata shëtisin, të ndjekur nga truprojat, duke ecur në grup së bashku.