Një sezon i suksesshëm turistik. Ky është përcaktimi që i bën administratori i agjencisë “Albtours D”, Edmond Basho, sezonit të këtij viti, që sipas parashikimeve do të jetë në të njëjtat shifra, në mos edhe më lart me atë të vitit 2019. 

Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, turizmi i organizuar këtë vit është në shifra mjaft të kënaqshme. Mungesat e turistëve nga Ukraina janë zëvendësuar nga shifrat në rritje të çekëve e polakëve, por edhe prurjet nga Serbia e vende të tjera.

Durrësi këtë sezon, po mban peshën kryesore të shifrave të pushuesve që frekuentojnë vendin tonë, ku turizmi patriotik përbën akoma prurjen shumë të madhe. Për Bashon, kapacitetet akomoduese janë të mjaftueshme, por vitin e ardhshëm duhet të nisë shtimi i tyre.

Duke vlerësuar me nota pozitive pastrimin e qytetit, Basho evidenton si problematikë rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, që i detyron operatorët turistikë t’i nxjerrin shumë orë përpara turistët nga hoteli, për të mos humbur avionin nga bllokimi i trafikut.

Përveç shqiptarëve që kalojnë pushimet në vend, shumë të tjerë zgjedhin të pushojnë jashtë. Destinacionet më të preferuara mbeten Turqia dhe Egjipti, ndërsa për Spanjën dhe Italinë nuk ka shumë kërkesa, për shkak të çmimeve mjaft të larta.

Sipas Bashos, nuk vihet re një trend në rritje i shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë, ndoshta edhe për shkak të krizës ekonomike që po vijon prej muajsh.   

M.B.