Vera e këtij viti duket e mbarë për strukturat hoteliere në Durrës. Shifrat e rezervimeve janë mjaft të kënaqshme, ndërsa sezoni pritet të zgjatet deri në shtator, apo fillimin e tetorit, kjo dhe në varësi të kushteve atmosferike.
“DurrësLajm” ishte sot në hotel “Adriatik”, ku menaxherja e përgjithshme Nevila Dudaj na shpjegon më shumë.
“Është një sezon goxha i mirë, kemi filluar që në maj të kemi turistët e parë. Kemi klientelë që vjen nga gjithë bota, diaspora shqiptare”,- thotë ajo.
Me hapësirat e bollshme, afërsinë me detin, pishinat me ujë të kripur, komoditetin e ndërthurur me luksin etj, hoteli që mban emrin e detit Adriatik është zgjedhja e parë për shumë klientë të rregullt të tij, por edhe për ata që e vizitojnë për herë të parë.
“E para herë që vi në Shqipëri. Deri tani gjithçka ka shkuar shumë mirë. Mikpritje shumë e mirë, hoteli është shumë i bukur, në rrugë njerëzit janë shumë socialë dhe na ndihmojnë neve të huajve. Do të rikthehem sërish”,- thotë një turist italian.
Shifrat duket se janë shumë premtuese deri në fund të sezonit turistik.
“Duhet të jemi aty-aty me vitin 2019. Shifrat janë pothuaj njëlloj”,- thotë Dudaj.
Rritja e çmimeve i ka prekur të gjitha strukturat hoteliere, por ndryshe nga ç’po ndodh në jug, në Durrës rritja është e moderuar.
“Ka një rritje të lehtë çmimesh. Jemi munduar t’i menaxhojmë mirë. Ngritja e tepërt e tyre do të sillte probleme. Jemi përpjekur të jemi të moderuar në çmime. Ushqimi ka pësuar ndryshim, është rritur rreth 20-30%, por nuk mund të shkojmë më tepër se kaq”,- thotë Dudaj.
E mësuar të ndajë prej vitesh jetën mes Amerikës dhe Shqipërisë, Dudaj, me intuitën e një menaxhereje të suksesshme, nuk kishte sesi ta linte tregun e përtej Adriatikut pa njohuri për Shqipërinë.
Dhe fakt është se një pjesë e rëndësishme e klientelës, që Dudaj preferon t’i quajë mysafirë janë pikërisht nga SHBA, amerikanë por edhe personalitete të rëndësishme shqiptare atje. Për këtë e ka ndihmuar mjaft edhe agjencia “Adriatik Tours”, që ndodhet në hollin e hotelit, por është e hapur edhe në SHBA. Dudaj na shpjegon edhe arsyen se pse nuk preferon të ofrojë paketa pushimesh all inclusive.
“Nëpërmjet agjencisë sonë ‘Adriatik Tours’ që operon këtu në hotel, por edhe në Shtetet e Bashkuara ne sjellim shumë klientë perëndimorë. Veçanërisht jemi të njohur për numrin e madh të turistëve amerikanë, që vizitojnë Shqipërinë, si dhe nga diaspora shqiptare që jeton në Amerikë. Zakonisht nuk operojmë me paketa all inclusive, në mënyrë që t’u japim mysafirëve që na vijnë një eksperiencë më të gjerë, që të njohin qytetin, historikun e tij”.
Hotel “Adriatik” është pjesë e zinxhirit hotelier me 5 yje Best Western Hotels & Resorts. I pozicionuar në zemër të plazhit të madh të Durrësit, dikur, gjatë regjimit komunist, ishte destinacion vetëm për diplomatët e krerët e shteteve, por sot është sinonim i relaksit dhe qetësisë. Me modelin perëndimor të shërbimit dhe kujdesin ndaj detajeve, ai mbetet një nga resortet më IN të Durrësit.
M.B.