Policia e Tiranës i ka arrestuar një 45-vjeçar i cili lëvizte duke mbajtur në çantë një pistoletë, municione dhe silenciator.

Blutë bëjnë me dije se 45-vjeçari Ermir Kroqi u kap duke lëvizur në një makinë në shoqërinë e shokut të tij Martin Ramaj, i cili kishte dijeni për armën që ai mbante me vete, por nuk ka treguar.

Dyshimet janë që 45-vjeçari mund të kryente një vrasje, por policia po heton në këtë pistë.

Ndërkohë që gjatë kontrollit të banesës së 45-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak.

Njoftimi

Finalizohet, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Pasagjeri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive, tre thika, krehër, municion luftarak, silenciator dhe 2 aparate celulare. Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Agush Gjergjevica”, në një automjet, po qarkullonte 1 shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pasagjeri”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”;

– M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në rrugën “Agush Gjergjevica”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. M. dhe pasagjer shtetasin E. K.

Gjatë kontrollit në çantën e dorës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një silenciator. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak. Shtetasi M. M. ka patur dijeni për krimin, por nuk ka kallëzuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.