Policia ka vendosur arrest me burg për ish-efektivin e RENEA-s 39-vjeçarin Remal Rada, i cili u kap me arsenal armësh në makinë dy dit më parë, e pas kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën edhe armë të tjera.
Radës i është dhënë masa arrest me burg ditën e sotme, pasi dyshet se bashkëpunon me grupe kriminale për shitblerje armësh.
Procesi është zhvilluar me dyer të mbyllura ku ishte i pranishëm gjyqtari dhe prokurori i çështjes, ku u zbulua dinamika se si u zbulua ngjarja. Rada dhe Hidhi po drejtonin një automjet me targa angleze ku u gjet një armë me silenciator.
Rada këmbënguli që ishte viktimë e ngjarjes dhe se nuk kishte dijeni të objekteve që mbante në makinë. Ai tregoi se në qershor kishte udhëtuar në Britaninë e Madhe, tek vëllai i tij ku kishte takuar një qytetar me emrin Ilir. Rada tregoi se pasi mbërriti në Shqipëri mori një telefonatë për të marrë një pako me veshje e për ta dërguar në një vend.
Sipas tij, pasi mori një çantë dhe pasi hipi në makinë dyshoi që në pako kishte diçka të dyshimtë, por menjëherë u ndal nga RENEA. Remal Rada ka refuzuar të flasë para gjykatësit dhe nuk dihet sa e vërtetë është ngjarja. Të gjithë ngjarjen do ta hetojë hetimi i mëvonshëm pasi të shihen edhe kamerat e sigurisë ku thuhet se është bërë takimi mes Radës dhe personit që i dha pakon.
39-vjeçari Remal Rada, ka shërbyer për më shumë se 13 vite në repartin special të forcave RENEA nga ku u shkëput vetëm disa muaj më parë.
Mbrëmjen e së hënës ish-oficeri i policisë së bashku me shokun e tij Elton Hidhi, i dënuar më parë për vjedhje, u vunë në pranga pasi u kapën duke lëvizur në kryeqytet me një arsenal armësh.
Në rrugë operative policia mori informacion se në zonën e Saukut te rrethrrotullimi i Sanatoriumit brenda një mjeti po qarkullonin persona të armatosur.
Policia sekuestroi një armë zjarri snajper, një armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, dy krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie.





