Javën e kaluar Ermal Meta njoftoi shtyrjen e aktiviteteve që kishte planifikuar për shkak të një problemi shëndetësor. Ai tha se ishte zgjuar i enjtur në fytyrë dhe kokë dhe nuk e dinte shkakun. Tani, këngëtari shqiptar është mirë dhe ka folur në një intervistë për të përjavshmen italiane Oggi.
“Më është dashur të pezulloj disa aktivitete pune që të mund të hetoj shkaqet dhe më erdhi keq, por ishte e nevojshme. Në fund nuk ishte asgjë shqetësuese,” shpjegoi ai.
Gjatë intervistës, Meta po ashtu foli për të kaluarën në Shqipëri, ku ai jetoi për 13 vjet në një periudhë të vështirë për vendin, gjatë regjimit komunist.
“[…] Edhe pse periudha më e vështirë ishte nga rënia e regjimit, në vitin 1991, deri kur u largova në 1994-ën: dhunë, krim, vdekje në rrugë, një ndjenjë rreziku për të cilën nuk do ta fal kurrë tim atë, i cili na la vetëm në ato vite të tmerrshme”.
Më pas, erdhi mbërritja e tij në Itali, ku iu desh të përballej me paragjykimet.
“Ndjeva se duhej të provoja se nuk isha si shqiptarët e përshkruar në gazeta. Ndihesha si një mysafir që nuk duhej të bënte zhurmë. Më shqetësonte kjo gjë dhe më pas me muzikën bëra sa më shumë zhurmë që munda […]”.
Në fund, Ermal Meta tha se edhe pse në Shqipëri ka jetuar 13 vjet, ndërsa në Itali 28, ai i është mirënjohës vendit të tij të origjinës.
“Unë kam identitetin tim, rrënjët e mia. Që nga viti 2006 pasaporta ime thotë se kam edhe kombësi italiane, por është pasaportë. Në Shqipëri kam jetuar 13 vjet, në Itali 28. Por nëse shikon një bimë nuk mund të injorosh se është kaq e bukur falë rrënjëve të shëndetshme. Zakonisht, gjërat e rëndësishme nuk shihen”, –përfundoi ai.