“Skandal! Punonjësit e Bashkisë Durrës të favorizuar dhe të parët që marrin grantin e dëmshpërblimit.”
Ky është denoncimi që bën LSI dega Durrës, në lidhje me rihapjen vetëm ditën e sotme të aplikimit për përfitimin e grantit të dëmshpërblimit.
Kontjana Kuçi, kryetarja e LSI-së, denoncon në faqen e saj në “Facebook” se “teksa me qindra banorë të Durrësit kanë mbajtur radhë që nga ora 04:00 e mëngjesit për të aplikuar brenda 24 orëve dhe pa asnjë njoftim zyrtar për grantin e dëmshpërblimit, duke rrezikuar edhe infektimin për shkak të turmës së madhe, mësohet se një numër i madh i punonjësve të bashkisë kanë qenë përfituesit e parë dhe të favorizuar”.
Kuçi ngre edhe disa pyetje, që të jetë kjo arsyeja përse nuk u dha asnjë njoftim zyrtar dhe vetëm për një ditë.
“Që të shpërndaheshin para fushate për punonjësit e bashkisë dhe në administratë?
Turp me këtë tallje ndaj banorëve të Durrësit.
Largimi i “Rilindjes” në prill është mëse i sigurtë dhe do mbani përgjegjësi për çdo vjedhje, abuzim dhe dëm që i keni bërë Durrësit dhe banorëve”, përfundon reagimin e saj.





