Lecce tenton goditjen e madhe në merkato. Klubi nga Salento u rikthye në Serie A, aty ku tenton të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur, duke i dhënë fund ngjitjeve dhe zbritjeve të shpeshta nga kategoria. Drejtuesit e Lecces kanë piketuar Samuel Umtitin si përforcimin e madh në prapavijë. Francezi nuk është pjesë e planeve të trajnerit Xavi te Barcelona, klub me të cilin ka edhe katër vite kontratë.
Sky Sport raporton se Lecce është shumë afër huazimit të qendërmbrojtësit francez. Bisedimet me Barcelonën po shkojnë shumë mirë dhe 28-vjeçari pritet të vijojë karrierën në Itali. Umtiti, i cili fitoi Kupën e Botës me Francën në Rusi katër vite më parë, është përballur me dëmtime të shumta në vitet e fundit. Sezonin e kaluar luajti vetëm një ndeshje në La Liga.
Në Itali e kanë kërkuar edhe më parë klube të mëdha, por tani është shumë afër kalimit te Lecce, ekip ku luan edhe Kastriot Dermaku, mbrojtësi dardan i kombëtares shqiptare.





