Kampionia e Europës në garën e 3 mijë metrave me pengesa, Luiza Gega është nderuar me Yllin e Mirënjohjes Publike nga Kryeministri Edi Rama në një pritje të posaçme që iu rezervua sportistes.

Kreu i qeverisë tha se për Luiza Gegën do të ketë edhe një shpërblim financiar. Ai shtoi se ky shpërblim për Luiza Gegën është më i madh se shpërblimi që marrin ata sportistë shqiptarë që kanë ndërruar më parë kombësi dhe përfaqësojnë shtete të tjera.

“Të jesh kampione europiane në një vend që pistën e parë normale të atletikës e ka ndërtuar tani, do të thotë t’i thuash të gjithëve që asnjë arsye sado objektive, asnjë distancë, me këdoqoftë përpara teje nuk të pengon të ngjitesh në majë në qoftë se ti je i vendosur të ngjitesh në majë dhe të paguash çmimin e sfilitjes, të gjakut, lodhjes dhe djersës.

Nivelin e urrejtjes për tjetrin s’ka rëndësi nëse është i një ane tjetër politike apo në lagje, e ka të atillë sa është gati ta bëjë copë Shqipërinë, të bëjë copë çdo gjë që është shqiptare, jo se nuk e do atdheun, flamurin, por sepse nuk arrin dot ta kuptojë që atdheu nuk është vetëm i veti dhe anës së vetë. Kjo arrin kulmin kur në vend se të admirohet pikërisht ana reale e suksesit që s’ka të bëjë fare me financat, me kushtet, por ka të bëjë vetëm me ëndrrën dhe vullnetin, shpotitet suksesi dhe flitet për Euro. Kam vetëm një fjalë për t’ju thënë këtyre, Shqipëria sot i shpërblen. Luiza sot është vazhdimi i një rruge të hapur prej disa kohësh. Shifra e mbështetjes për Luizën është një shifër që nuk do ta imagjinojnë dot sportistët që shkonin ndërronin kombësinë në 2012-n. Në ato vende ku kanë ngritur flamujt e kombeve të tjera, shpërblimet janë më pak se sa shpërblimi që do marri Luiza me meritë.

Dhe kjo medalje, kordoni i madh i Yllit të Mirënjohjes Publike është thjesht shprehja e përulur e admirimit, por nuk e kompenson dot sepse s’ka shpërblim financiar që mund të kompensojë sfilitjen, gjakun, lotët dhe djersën. Kjo medalje është bërë për figura të larta shtetërore, por në fakt ty të takon ndoshta më shumë se kujtdo tjetër sepse në mbajtjen e shenjave të kësaj medalje, shqiponjën dykrenore, është hija e atletit të parë të kombit tonë, atleti i lirisë, Gjergj Kastriot Skënderbeut”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ndërsa atletja Luiza Gega u shpreh e emocionuar për nderimin që i bëhet.

“Sot ndjehem më e emocionuar se kurrë. Vendosa të vija pikërisht me ngjyrat kuqezi sepse ndihem më krenare se kurrë. Doja t’i tregoja dhe Europës që dhe ne mundemi. Me punë mund t’ja dalim dhe të jemi më mirë dhe se ata. Ndihem më e vlerësuar se kurrë, nuk e kam ndjerë më parë këtë gjë”.