Klubi i Teutës vazhdon lëvizjet në merkato, teksa ka arritur të sigurojë një futbollist, i cili pritet të rritë cilësinë në mesfushën e skuadrës durrsake. Trajneri Arapi do të ketë në dispozicion edhe mesfushorin Arber Çyrbja në këtë sezon. Çyrbja ka qenë një nga talentet premtuese të futbollit durrsak, duke siguruar edhe një kontratë me klubin e Teutës në hapat e tij të parë, por ai më pas nisi të shtegtojë në disa ekipe në Shqipëri. Eksperiencat e tij në karrierën si profesionist janë te Teuta, Kukësi, Gjilani dhe Erzeni. Mesfushori pritet të mbërrijë gjatë këtyre ditëve në Durrës, për të firmosur me blutë dhe për t’u vënë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e dytë në kampionat.
Pas problemeve që klubi pati para ndeshjes me Laçin, në lidhje me federimin e lojtarëve që kanë ardhur gjatë merkatos së verës, gazeta mëson se çdo gjë është zgjidhur. Tashmë emra si Uheid Hoxha, Aldrit Oshafi, Alban Çejku, Patrik Treni, David Gjinollari, Klevis Bebeziqi, Erando Karabeci dhe më i fundit Arbër Çyrbja, do të federohen për llogari të Teutës, duke qenë gati për sfidën me Bylisin të shtunën. Në javën e parë të kampionatit, në fushë ishte vetëm Aldrit Oshafi nga afrimet, i cili u regjistrua direkt nga klubi, duke qenë se është një lojtar nën kontratë me Teutën dhe ka qenë i huazuar te Tomori.
Pas asaj humbjeje të rëndë në javën e parë të kampionatit, atmosfera në kampin durrsak nuk është ndër më të mirat. Humbja me Laçin nuk është pritur mirë si nga tifozëria, po ashtu edhe nga vetë skuadra durrsake, e cila kërkon menjëherë të bëjë autokritikë në përballjen pasardhëse. Humbja me Laçin në “Kurbin” do t’i kushtojë Teutës, sepse do të vështirësohet puna për shkak se durrsakët duhet të rikuperojnë pikët e lëna në këtë ndeshje.
Gjithsesi, të gjithë kanë besim se do të rikthehemi dhe janë të bindur se kjo do të ndodhë shumë shpejt, madje duke nisur që nga ndeshja e radhës. Teuta ka një grup të mirë lojtarësh dhe, çështja është përshtatja e tyre me njëri-tjetrin. Nuk ka vend për demoralizim për këtë humbje, megjithëse është disi e rëndë. Duhet që skuadra të ketë më tepër mobilizim dhe besim në vetvete.