Nga BUJAR QESJA
Gjithnjë kam bluajtur në mëndje, për t’iu përkushtuar në një material të veçantë, prezencën aktive durrsake në Voskopojë. Prej mëse dy dekadash, dyndje durrsake, kanë “invaduar” Voskopojën, këtë drejtori qendrore, ku freskia dhe oksigjeni bëjnë ligjin. Dhe për të çfrytëzuar këtë ligj natyror, durrsakët vendosin kandidaturën të parët dhe kryesojnë renditjen krahasuar me të tjerët. Katër qytete kryesisht “godasin” Voskopojën: Tirana, Durrësi, Fieri dhe Shkodra. Madje në Voskopopjë, është një strehë me emrin “Bujtina Shkodrani”.
Nga të parët durrsakë në Voskopojë, është çifti Donika dhe Rifat Muça. Kanë ndërtuar edhe një vilë, ku vijnë e kalojnë me ditë të veçanta pushimet durrsakët. Në një kodër dominante, qendron një tjetër vilë, ku jetojnë çifti i njohur durrsak Vehip (Buç) dhe Mariza Bakiri. Ndjehet prezenca edhe e çiftit Luçi dhe Eqerem Bylykbashi, çiftit Dhurata dhe Ylli Qesja, Ndue Gjurajt, Flamure Tepshit, Nermin Deliallisit, Frederik Kurtit, Gëzim Kabashit, çiftit Dona dhe Ilir Ngresi dhe janë me dhjetra e dhjetra durrsakë, që vijnë e kalojnë fundjavën në këtë kryeqendër të turizmit.
Donika Muça dhe Rifati, duke ndjerë detyrimin e mikpritësit, mblodhën në këtë të hënë, 29 gusht 2022 një grup durrsakësh. Risia ishte se ndërmjet durrsakëve autoktonë të Voskopojës si Buç Bakiri, Mariza Bakiri, Flamure Tepshi, Nermin Deliallisi, Kostandina Qesja, ishin dhe kolektivi i mësuesve të shkollës 9 vjeçare jo publike “Mihal Ekonomi”, nën drejtimin e presidentes Elca Hila. E tek “Bacelli” i Nexhipit, durrsakët morën në dorëzim lokalin dhe filluan nga kuvendimi.
Mjedisi durrsak krijon humor, krijon alegri, krijon ngrohtësi që të vjen mirë që ndodhesh aty. Flamure Kalaja apo Tepshi, sa nuk fluturon nga gëzimi, teksa ka harruar se ku e ka lënë pompën për t”i dhënë relaks mushkërive të lodhura, e mësuesja e njohur e ciklit të ulët Nermin Deliallisi, është në përkundjen joshëse të oksigjenit natyral të prodhuar në Voskopojë. Donika fluturon nga gëzimi. Mezi pret kur vijnë durrsakët dhe nxiton t”u japë e para dorën, e t”i ftojë në konakun e saj.
-Bujar, u dëgjua zëri entuziast i Donikës. Kam ftuar nesër për kafe durrsaket tona. Është Flamurja dhe Nermini. Por do të vi edhe zysh Elca me kolektivin e shkollës së saj. E kemi lënë tek lokali i Nexhip Bacellit. Do të jetë edhe Buç Bakiri me të shoqen Marizën. Mos harro të vish!
E këto mënyra respekti, Donika me Rifatin i përdorin shpesh. Voskopojarët i gëzohen durrsakëve jo vetëm si klientë, por edhe si qytetarë të civilizuar, që sjelinl këndvështrim tjetër komunikimi, ku e qeshura, gëzimi, bukuria shpirtërore tregohen apo demostrohen me pash. Dhe kështu ndodhi edhe në këtë 29 gusht të vitit 2022.
Drejtuesit e shkollës private “Mihal Ekonomi”, kanë ftuar me financat e tyre kolektivin e mësuesve, për t’i bërë “nxemjen” paraprake për fillimin e mbarë të vitit shkollor. Mëngjesi fillon me këtë kafe, në drekë kalojnë nga Boboshtica e Ed Pinos dhe në mbrëmje do të ndezin zjarre për të kaluar një natë të ndriçuar, ashtu siç e kanë zakon durrsakët civilizues.
Disa janë emra të njohur, të tjerë fare të rinj dhe ky kombinim moshash dhe përvojash i japin suksesin e merituar shkollës së dëgjuar “Mihal Ekonomi”. Zamira Koçi kampionia e atletikës. Është drejtoresha Dalina Beshiri, administratori Julian Beshiri, Yllka Rustemi, Marsida Bajrami, e bija e mjeshrit të vargjeve Agim Bajramit, Silva Driza, Edmonda Rotani e famshmja e violinës, pikturës dhe e fitimit të trofeve për shkollën, Enkelejda Trebicka, Romina Kasembi, çifti i porsa fejuar Genti Prela dhe Grisilda Çorja. Dhe të shkrirë me ta janë miqtë tanë të hershëm, të mirdëgjuarit Vasil Hila dhe Elca Ekonomi, e bija e intelektualit të njohur dhe erudit Mihal Ekonomi.
20 vite nga krijimi i shkollës, 20 vite mund dhe përpjekje, 20 vite krenari dhe siguri për të vazhduar kësisoj edhe më tej. Folëm pa rradhë. Qeshëm po pa rradhë. Por të gjithë dëgjuam me rradhë, duke treguar respekt dhe komunikim njerëzor njëri me tjetrin. Këto rradhë nuk janë plotësisht për arsimin, janë për durrsakët në Voskopojë, janë për zemërbardhësinë e Donika dhe Rifat Muçës, janë për respektin që kanë fituar bashkëqytetarët e mi këtu në Voskopojën e njerëzve bujarë, ku mikpritja e tyre i ngjason oksigjenit të pastër që thithin.
Durrsakët janë rritur me detin, vallzojnë me valët e tij. Por jo pak ky vallzim natyror ndjehet edhe në Voskopojën e 1300 metrave mbi nivelin e detit. Edhe këtu ka dallgë. Edhe këtu notohet. Por është një lloj notimi, që bëhet mbi dallgët që krijon oksigjeni i fuqishëm, që çliriohet nga pishat e reja dhe të vjetra, duke ua riparuar durrsakëve mushkëritë e bërë të reja.
-Nuk e di ku e kam lënë pompën e astmës, shprehet 85 vjeçarja Flamure Kalaja, e bija e Fadil Kalasë dhe motra e shoqes time të fëmijërisë Kimetes. Ndërsa mësueses veterane Nermin Deliallisit, pamja e tregon shumë më të re. Duket se mësuesja e njohur, është nxënëse e bindur e “profesorit” të njohur me emrin oksigjeni i Voskopojës.
Një ditë e Durrësit sot në Voskopojë, ashtu siç janë shumë e shumë ditë tjera pa dallime stinore. Durrsakët e duan qetësinë, e duan natyrën dhe janë dashnorë të saj. E duan malin ashtu sikundër edhe detin. Ajri i pishave është i binjakëzuar me jodin e detit dhe këtij binomi, durrsakët e mi ia kanë parë hajrin.
Elca Ekonomi, Vasil Hila dhe kolektivi i tyre pedagogjik, nisen të martën e 30 gushtit për në Durrës, e ne të tjerët do të mbetemi edhe pak këtu. Jam i sigurtë se oksigjeni i Voskopojës, do të reflektohet në mësimdhënien e “Mihal Ekonomit”, për t’i dhënë nxënësve freskinë natyrore të këtyre maleve dhe të këtyre pishave, që atyre t’ shtohet oksigjeni i pastër i diturive të tyre. Dhe figuracionet në këtë rast nuk mbarojnë. Por mjedisi durrsak, i ka fituar kreditet e duhura në Voskopojë. Durrsakët janë të thjeshtë, modestinë e kanë patur mot e jetë pjesë të jetës së tyre. Dhe këto cilësi, përqafohen edhe nga voskopojarët, të cilët i duan dhe i mirpresin.
Një grup ikin dhe të tjerë vijnë. Durrsakët po bëjnë historinë e tyre. Donika Muça dhe Rifati, do të vazhdojnë të presin dhe të përcjellin miq dhe ndër ta edhe durrsakët e tyre. Rituali vazhdon dhe përmasat e mikpritjes rriten. Durrsakët e duan Voskopojën. Klima e saj i bën mirë shëndetit të tyre. Por mbi gjithçka vëllazërimi me voskopojarët, mbetet parësore për ta.
Kështu ndodhi sot. Kështu do të ndodhë edhe nesër. Kështu do të ndodhë gjithnjë.
Voskopojë: 29 gusht 2022